Vaksina e gripit plotësisht e dizajnuar nga inteligjenca artificiale po testohet te njerëzit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo u zhvillua nga universiteti australian ”Flanders”, i cili në një deklaratë kujton se si është hera e parë që një ilaç i zhvilluar nga një algoritëm arrin në eksperimentimin njerëzor.

”Nuk është hera e parë që kompjuterat ndihmojnë në dizajnimin e terapisë”, shpjegon Nikolai Petrovski në faqen e internetit të ”Business Insider Australia”, por në këtë rast dizajni i tërë iu besua një programi të bazuar në inteligjencën artificiale të quajtur Sam.

“Së pari ne i treguam programit një seri përbërësish që aktivizojnë sistemin imunitar të njeriut dhe të tjerët që nuk e aktivizojnë atë, për të bërë dallimin mes një ilaçi që funksionon dhe jo. Pastaj krijuam një program të quajtur ‘kimisti sintetik’, i cili krijoi mijëra miliarda kombinacione kimike të ndryshme, që ne i analizuam me programin Sam për të gjetur se çfarë mund të ishte ilaçi më i mirë”, theksoi Petrovski.

“Kjo përfaqëson fillimin e një epoke të re, ku inteligjenca artificiale do të luajë një rol në rritje në zhvillimin e ilaçeve”, shtoi ai.

(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb