TIRANE

Një fshat shqiptar në duart e një kompanie të madhe dhe të dyshimtë europiane, një uzinë armësh, interesa të mëdha përballë naivitetit dhe pafuqisë së banorëve të një zone të izoluar. Ky do të ishte me pak fjalë filmi “Europa” një prodhim austriak me histori shqiptare, që vë në qendër zhvillimin dhe imponimin e pushtetit financiar përballë naivitetit dhe pamundësisë së banorëve të pambrojtur.

“Është një dëshmi të qartë se çfarë bën kinemaja në rrafshin ekonomik dhe shpirtëror. Regjisorja si askush i huaj më parë, ka ditur të rrëfejë madhështinë e shpirti tonë, ka prekur me mjeshtërinë e artisteje të madhe, dimensionin e shqiptarit të thjeshtë që mbase nuk kupton shumë nga bota por ka gjithmonë bukë, kripë e zemër të bardhë”, tha Sabina Kodra nga Erafilm.

Duke vënë në qendër një korporatë misterioze që kërkon të zgjerohet në rajonin e Ballkanit, përmes promovimit të filantropisë dhe investimeve në zonat e pazhvilluara, filmi pothuaj denoncon realitete paralele, ndërsa vë përballë interesat dhe fermerët kokëfortë.

“Filmi ‘Europa’ ka marrë çmimin e Vienales në Vjenë vitin e kaluar dhe Bienalja është festivali më i rëndësishëm i filmit në Austri”, tha Ambasadori austriak, Christian Steiner.

Me regji të Sudabeh Mortezai filmi “Europa” integron ngjarje të realitetit shqiptar në një produksion që bashkon artistë dhe qytetarë që bëhen aktorë për të treguar një histori që luhatet mes realitetit dhe situatave hipotetike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb