NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Mëngë këmishe”, filmi me ske nar dhe regji të Suela Bakos, i prodhuar nga ERAFILM dhe bashkëprodhuar nga KINOSTUDIO DARDAN është përzgjedhur në Short Film Corner të Festivalit të Cannes në Francë. Në të, interpretojnë, aktorët Laert Vasili, Ina Gjonci, Romir Zalla dhe vajza e Bakos dhe e Zallës, Kaltrin Zalla. Filmi është xhiruar diku në Pogradec dhe ka në fokus, çiftin Xhilda dhe Martini që ndërsa janë me pushime zbulojnë se vajza është shtatzënë. Të gjendur para një fakti që nuk janë ende gati ta përballojnë, vajza e sheh shtatzëninë të padëshiruar ndërsa djali nuk është një njeri që mund të mbajë shtëpinë mbi shpatulla.

“Ajo që dimë është që meshkujt e kanë më të lehtë ta vënë në diskutim ndërprerjen ose jo të shtatzënisë, por nuk është e lehtë aspak edhe për femrat sidomos kur ato janë përpara dilemave të mëdha ekzistenciale në lidhje me veten e tyre dhe asaj çfarë kërkojnë në jetë, pikësynimet, statusin, lumturinë si një nevojë dhe fakt dhe jo si një shtrëngim aksidental”, thotë regjisorja Bako për “GSH”. Ndërsa filmi “Mëngë këmishe” na tregon se jeta ka vlerë dhe se “nëse një marrëdhënie është problematike, gjithsesi fëmija nuk është ilaçi dhe kjo është e qartë”, diku në të, një këmishe vishet së prapthi si një metaforë e përpjekjes për të rinisur jetën nga e para.

-Filmi “Mëngë këmishe” do të shfaqet në Festivalin e Kanës. Si u bë e mundur kjo?
Filmi, nuk kemi ende informacion që do të shfaqet, mbase producentët e filmit ERAFILM production, do ta bëjnë të mundur këtë, me ndihmën e QKK apo të distributorit Mailuki Films, por hapësira që filmi ka fituar, është Short Film Corner, një hapësirë për të ndarë eksperienca me producentë, një market i mundshëm, kineastë të rinj dhe jo vetëm, workshope, një akreditim për mua si autore për të ndjekur festivalin. Short film Corner është një seksion i festivalit në të cilën kanë të drejtë të konkurrojnë shumë kineastë dhe përzgjidhen disa prej tyre me veprat respektive, është fat që “Mëngë këmishe” u përzgjodh. Ndihem mirë me këtë.

-Si e mendoni përballjen me kinemanë botërore në Kanë?
Përsa më lart ju shpjegova që nuk kemi të bëjmë me një përballje, kemi të bëjmë me një përfaqësim, është për tu vlerësuar fakti që “Mëngë këmishe” është realizuar me një buxhet shumë të ulët prej rreth 3200 Euro, si projekt fitues i filmit të shkurtër indipendent, pranë QKK, pra ne mundëm që me kaq pak buxhet të mbërrijmë në një festival të kësaj kategorie, duke qene pjesë e katalogut të filmit të shkurtër, ky është një fakt shumë premtues, për sa i përket përballjes, kjo është mënyra si përballemi ne, në mënyrën tonë modeste dhe profesionale pa fluturuar shumë, por me shumë besim.

-Trajtohet tema e shtatzënisë së padëshiruar, por edhe një marrëdhënie problematike. Pse ju ngacmon kjo temë?
Në lidhje me këtë temë, më ngacmon shumë ajo që ndodh me prindin e ardhshëm në lidhje me shtatzëninë. Të gjendurit përpara një të papriture të tillë, nuk është gjithmonë e këndshme, shpesh ajo kthehet në dramë. Ajo që dimë është që meshkujt e kanë më të lehtë ta vënë në diskutim ndërprerjen ose jo të shtatzënisë, por nuk është e lehtë aspak edhe për femrat sidomos kur ato janë përpara dilemave të mëdha ekzistenciale në lidhje me veten e tyre dhe asaj çfarë kërkojnë në jetë, pikësynimet, statusin, lumturinë si një nevojë dhe fakt dhe jo si një shtrëngim aksidental. Gjithashtu interesohem shumë për kandidatin për “banori më i ri”, fëmijën… A është e drejtë të sjellim në jetë një fëmijë të cilin nuk e kemi mirëpritur për arsyet e lartpërmendura? Është tejet komplekse dhe delikate, por ajo që ka vlerë është jeta dhe përballë saj, të gjithë jemi të dorëzuar. Nëse një marrëdhënie është problematike, gjithsesi fëmija nuk është ilaçi dhe kjo është e qartë.

-Një burrë i dobët, ndryshe nga stereotipat mashkullorë shqiptarë. Kanë ndryshuar ‘meshkujt’ apo janë kohët që na vënë përballë zgjidhjesh që më herët nuk ishin opsion?
Besoj fort se ndryshimi, është dypalësh, nuk dua të mendoj se kanë ndryshuar meshkujt, kohët po, marrëdhëniet njerëzore po, nevoja për të qenë të drejtpërdrejtë të hapur dhe të barabartë në vendimmarrje është sfida më e madhe sot për shoqërinë, sidomos shqiptare. Burri, Martini, nuk është një burrë ndryshe, është një burrë i dashuruar, i dëshiruar për një familje, por pa aftësinë e vendimmarrjes; për të e rëndësishme është që partnerja e tij të marrë vendimin që nuk e cenon, nuk e privon nga qëllimet që i ka vënë vetes, duke na prezantuar kështu një burrë i cili në pamje të parë, nuk është burri që mund të mbajë “shtëpinë” mbi shpatulla, e ti dalë zot rritjes se një fëmijë, pikërisht këtu qëndron keqkuptimi i madh dhe konflikti i fshehur i veprës.

-Ky është filmi juaj i pestë me metrazh të shkurtër, me gjithë vështirësitë për financim. Ndërkohë që ju angazhoheni edhe në teatër. Si e menaxhoni kohën, veten, idetë?
Duhet thënë që ky është filmi im i parë me financim edhe pse modest, dhe filmi i parë si një profesioniste e lirë e fushës. Jam përpjekur ti marr kënaqësitë e kësaj pune duke sakrifikuar për të, dhe kam shijuar çdo moment krijimi në secilën etapë dhe ka shumë etapa realizimi i një filmi, qoftë ky edhe i shkurtër. Po, është e vërtetë, prej dy vitesh punoj në teatrin e Durrësit si aktore dhe përpiqem të angazhohem si aktore në film sa herë me jepet mundësia. E dua shumë aktrimin dhe më mbush jetën dhe shpirtin ky profesion. Sigurisht nuk është e lehtë, kur je zonjë shtëpie, mama e dy fëmijëve, grua, por falë mbështetjes të familjes sime dhe bashkëshortit ia kam dalë; përpiqem të punoj natën vonë, dal pak, ose aspak. Mbaj ndonjë shënim, lexoj sa mundem dhe përditësoj njohuritë e mia. Gjëja më e rëndësishme janë intuita dhe ndjesitë e mia, ato i ruaj të freskëta dhe u jepem sa mundem. Ka raste kur mendoj që kam lënë pas dore fëmijët….atëherë lë gjithçka dhe u kushtoj një fundjavë të tërë apo një pasdite, gatuajmë biskota, kek, petulla, dalim, flasim, furnizohemi me energjinë që na jep dashuria dhe rifillojmë nga e para … E kush tha që do të ishte e lehtë!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: