SHBA – Filmi dramatik i përfshirë në kandidaturat për çmimin Oskar “Snajperi amerikan”, i regjisorit Clint Eastëood, është i bazuar në historinë e vërtetë të Chris Kyle, i njësisë speciale të marinës Navy SEAL, i cili shërbeu katër herë rresht në Irak si snajperist. Gjatë shërbimit të tij ushtarak, Kyle shpëtoi jetë të panumërta ushtarësh amerikanë dhe u bë i famshëm ndër miqtë dhe armiqtë për nishanin e tij të pagabueshëm. Filmi eksploron kostot e luftës në psikikën njerëzore.
Filmi “Snajperi amerikan” nuk është në lidhje me trimërinë amerikane në luftë. Është një dramë që bën fjalë për dëmin emocional që lufta u shkakton edhe ushtarëve më të guximshëm dhe efikas. Sa më shpesh që Chris, rikthehet në luftë, aq më shumë pakësohet aftësia e tij për të komunikuar me gruan dhe miqtë për eksperiencat e tij. Ky rreth vicioz e tërheq atë sërish drejt fushëbetejës.
Ryan Galucci, zëvendës drejtor i “Veteranëve të Luftërave të Huaja”, thotë se kjo është një ndër traumat më të zakonshme që përjetojnë ushtarët.
“Sapo je rikthyer nga një eksperiencë shumë e thellë, e cila është shumë e vështirë të vendoset në kontekstin e një civili normal. Prandaj mendoj se filma si ky janë të rëndësishëm për përpjekjet për pasqyrimin e emocioneve të pjesëmarrjes në një luftë dhe të rikthimit në shtëpi.”
Aktori Bradley Cooper luan rolin kryesor të Chris Kyle, i cili gradualisht shkëputet nga vetvetja, dhe i shkatërruar përpiqet të rindërtojë jetën e tij. Aktrimi i tij i dha një nominim për Oskar si “Aktori më i Mirë”.
Chris Kyle u vra në shkurt 2013 nga një tjetër veteran, i cili vuante nga sindromi i çrregullimeve post-traumatike (PTSD). Bashkëshortja e tij thotë se filmi i shërbeu asaj si një katharsis.
“Kisha pak paqe brenda meje përpara se të shkoja për të parë filmin, por kur dola kuptova se çfarë barre më ishte hequr, barrë të cilën e kisha mbajtur me vete gjithë këtë kohë. Ata e kanë pikasur historinë, dhe vetë Chris, me gjithçka që ai ishte, me të mirat dhe të këqijat. Tashmë është diçka e hapur për gjithë botën që ta shohë, dhe kjo është diçka e bukur.”- shprehet ajo.
Filmi “Snajperi amerikan” është kandidat për çmimin Oskar për kategorinë e filmit më të mirë bazuar mbi pasqyrimin që i ka bërë kontrastit ndërmjet njerëzimit në luftë dhe njerëzimit në kohë paqeje. Do të kishte qenë ndoshta film më i plotë nëse do të kishte përshkruar armikun më shumë, por është megjithatë i suksesshëm në komunikimin e aspekteve të cilat shumë ushtarë nuk munden dot t’i përcjellin.

(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: