Një film kushtuar Luftës së Dytë Botërore, ku tregohet devotshmëria ndaj vendit e një ushtari sovjetik, i fundit në një seri prodhimesh patriotike me buxhet të madh të mbështetur nga shteti rus, ka thyer rekordet e shikueshmërisë në Rusi, sipas profesionistëve të sektorit.


Me titullin “T-34”, emri i një tanku sovjetik, simbol i fitores ndaj Gjermanisë naziste, ky film me metrazh të gjatë mblodhi 713 milionë rubla (9,8 milionë euro) të ardhura vetëm fundjavën e parë të shfaqjes në kinema, një shifër e pazakontë, sipas ‘’Bjuletin Kinoprokatçika’’, një dokument informues i sektorit.


‘’Filmi bazohet në një dramë mbi mënyrën sesi një i burgosur arratiset nga një kamp përqëndrimi nazist në përpjekje për të shpëtuar jetën, dashurinë dhe devotshmërinë ndaj vendit’’, shkruan Ministria ruse e Kulturës në një komunikatë.


Producenti i filmit Aleksei Sidorov ka dashur të tregojë luftën duke tërhequr vëmendjen e rinisë pa lënduar ata që ruajnë ende kujtimin e Luftës së Madhe Patriotike.

Kujtimi i Luftës së Madhe Patriotike, emri i vënë në Rusi konfliktit të armatosur midis ish- Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste, vijon të mbetet një burim i një krenarie të madhe dhe përbën një shtyllë të rëndësishme të patriotizmit të mbështetur nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb