ELBASAN- Një vit më parë u përfol gjatë për një djalë nga Elbasani, i cili shantazhoi një police me disa pamje që i kishte marrë teksa ajo bënte dush. Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata ka marrë vendimin, ajo e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burg 22-vjeçarin Mario Bici.

Nëpërmjet kërcënimeve e presioneve, ai i kërkoi 500 euro një punonjëseje policie në Elbasan, por ajo u tregua më e zgjuar. Shuma e parave u kërkua për mospublikimin në internet të fotove intime të oficeres dhe një videoje, në të cilën gruaja ishte duke bërë dush në shtëpinë e saj.

Sipas Prokurorisë, mbrëmjen e datës 24.08.2015, policja po bënte dush në tualetin e shtëpisë së saj njëkatëshe. Gjatë kësaj kohe, dëgjoi zhurmë në dritaren e tualetit dhe ka parë një djalë të ri që po e filmonte. Ajo e ka thirrur, por ai është larguar, ndërsa dy ditë më vonë, ajo mori një letër, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22:00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”.

Me të marrë këtë letër, policja ka bërë kallëzim pranë kolegëve të saj në Policinë Vendore të Elbasanit.

Oficerët e Policisë Gjyqësore printuan nga interneti një 100 euro me numër serial dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja, dhe para orës 22:00 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi te koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi, dhe hodhi aty zarfin. Sapo ajo u largua, një person u afrua te koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua. Ai u ndoq nga forcat e Policisë që vëzhgonin veprimet në terren dhe u kap në largim e sipër me vrap.

Pas këtij aksioni, djali nga Elbasani u arrestua dhe tani do t’i duhet të vuajë me burg pasojat e këtij veprimi. (Jeta Osh Qejf)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: