Ndalohet shoferi i ambulancës së spitalit të Vlorës, i cili transportoi drejt morgut trupin e pajetë të Eraldo Novruzit. Shtetasi me inicialet A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, akuzohet se ka filmuar trupin e pajetë të 31-vjeçarit dhe më pas ia ka burimeve mediatike me qëllim publikimin.
31-vjeçari dyshohet se u vra nga Gerald Shehu, bashkëpronar i hotelit ku ai punonte si recepsionist.
NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.
Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N.
(BalkanWeb)