Gazeta Financial Times i kushton një artikull të gjatë pamjes së re të kryeministrisë, me drita led, kërpudha në oborr dhe vepra të ndryshme arti në holl. Në reportazhin e gjatë nga Tirana, gazetari Peter Aspden, përshkruan me detaje ndryshimin e ardhur përmes dorës së kryeministrit artist në godinën e epokës komuniste, ndërsa Rama i tregon histori edhe për gjyshen e tij dhe marrëdhënien e saj me artin, si dhe i ofron pijen aq të dashur për shqiptarët, rakinë.

Gjithçka nis sigurisht me vizitën në Tiranë të një prej krerëve të shteteve më të fuqishëm në botë, kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mirëpritet në kryeqytetin shqiptar përveç se me pompozitetet e nevojshme të një vizite shtetërore, edhe me një sërë veprash arti, mes tyre edhe një shtrëngim duarsh i papërfunduar, vepër e realizuar nga bashkëkombësi i saj Tomas Demand.  Sipas Financial Times, një gjetje që befasoi këndshëm kancelaren.

Në oborrin e kryeministrisë, skulptura e kërpudhës gjigante trellojshe, vepër e artistit suedez, Karsten Hëler kap vëmendjen e reporterit britanik. Sipas Ramës, kolazhi i tre kërpudhave, një e ngrënshme, një helmuese dhe një haluçinante, përkufizon më së miri politikën shqiptare. Nuk mund të shpëtojë pa një koment edhe modifikimi i hyrjes së kryeministrisë, me kolazhin e dritave LED, dizajnuar nga francezi Filip Pareno, vepër që sipas gazetës britanike, është sinjali i një jete të re që ka nisur në një godinë, e cila prej vitesh kishte mbetur në errësirën e diktatit komunist.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb