Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me lajmin se qeveria ruse ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, përfshi këtu dhe Partinë Demokratike, ku thuhet se ka marrë 500 mijë dollarë.

Bëhet fjalë për vitin 2017, kohë kur drejtimin e Partisë Demokratike, e kishte Lulzim Basha.

Përmes një reagimi në Twitter, Gjekmarkaj theksoi pa shumë komente se fjala e Amerikës vlen njësoj për të gjithë.

Ndonëse nuk e përmend, Gjekmarkaj duket se i referohet edhe vendimit të DASH për të shpallur non-grata ish-kryeministrin Berisha për korrupsion dhe minim të demokracisë.

“Fjala e Amerikes vlen njesoj për të gjithë.”, shkruan Gjekmarkaj.

ARTIKULLI
Zëri i Amerikës publikoi artikullin në fjalë, duke iu referuar një zyrtari të lartë amerikan. Sipas zyrtarit, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane. Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb