Thiago Motta, trajneri i Juventusit, doli në konferencë para ndeshjes ndaj Fiorentinës.
Takimi me Fiorentinën: “Do të kemi në dispozicion Rouhi, Savona dhe Conceicao. Në Firence na pret një sfidë e ndërlikuar, ndaj një skuadre që vjen nga një fitore në Europë. Jemi përgatitur mirë për të qenë gati dhe për të bërë një ndeshje të madhe”.
Besimi i klubit dhe situata e ekipit: “Jam i përqendruar vetëm te Fiorentina. Ndjej besimin e plotë të klubit dhe afrimiteti i pronarëve këtë javë më ka bërë shumë mirë”.
Frika apo reagimi: “Shpesh kemi bërë shumë mirë, kemi fituar ndeshje të rëndësishme, por të tjerat nuk kemi mundur t’i fitojmë. Ajo e nesërmja është më e rëndësishmja. Nuk do të jetë e lehtë të luajmë kundër Fiorentinës në shtëpinë e saj, ndaj duhet të japim gjithçka për të fituar. Jemi të përqendruar tek ajo që duhet të bëjmë”.
E ardhmja e Motta: “E ardhmja ime nuk ka të bëjë me mua, por me klubin, ekipin dhe ndeshjen e radhës. Prioriteti është të bëjmë një ndeshje të madhe nesër për të marrë rezultatin e duhur”.
Pasojat e humbjes me Atalantën: “Vijmë nga një ndeshje me rezultat të vështirë për t’u pranuar. Kundër Atalantës bëmë mirë për 40 minuta, por më pas bergamaskët përfituan nga gabimet tona. Pas asaj ndeshjeje,ishim të zhgënjyer dhe të zemëruar, por tani duhet të reagojmë. Lojtarët u angazhuan menjëherë në stërvitje dhe jemi përgatitur mirë për sfidën me Fiorentinën”.
Presioni: “Gjithmonë kemi përgjegjësinë dhe detyrën për të dhënë maksimumin. Lojtarët e kanë dhënë gjithmonë maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Disa herë kundërshtari ka qenë superior, si ndaj Atalantës. Tani jemi të përqendruar te sfida e radhës. Do të ishte gabim të mendonim për gjëra të tjera. Duhet të përgatitemi sa më mirë fizikisht, teknikisht dhe mendërisht”.
Pengesa e quajtur Fiorentina: “Kundërshtari nuk do të kenë lodhje pas ndeshjes në Europë. Dimë që Fiorentina ka ekip të fortë, me një trajner që po bën punë të shkëlqyer dhe lojtarë cilësorë. Në ndeshjen e parë kundër tyre bëmë një nga paraqitjet tona më të mira. Merituam të fitonim, por bëmë disa gabime. Pres një ndeshje të vështirë dhe të komplikuar ndaj një ekipi të mirë. Duhet të japim maksimumin tonë për të qenë superiorë dhe marrë fitoren”.
Presioni ndaj trajnerit: “Në profesionin tonë, trajneri është gjithmonë në diskutim, që nga momenti kur firmos kontratën. Unë i pari analizoj vazhdimisht atë që ndodh. Në momente si ky duhet të ruash qetësinë dhe të jesh i kthjellët për të analizuar situatën me objektivitet. Vetëm kështu vendosen prioritetet e duhura. Kemi bërë shumë gjëra mirë, por kemi edhe gjëra për t’u përmirësuar. Komunikimi im me klubin është i vazhdueshëm, më ka bërë shumë mirë mbështetja e pronarëve këtë javë. Tani duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja e nesërme dhe të fitojmë”.
Për kritikat: “Nuk e ndjek shumë çfarë thuhet nga jashtë, por gjithashtu respektoj opinionet dhe analizat e të tjerëve. Unë vazhdoj të punoj dhe përpiqem ta përmirësoj ekipin gjatë javës. Kundër Atalantës u përballëm me një skuadër të madhe dhe bëmë shumë gabime. Pas vetëm tre minutash lejuam një kundërsulm dhe, pas golit të pësuar, u çorientuam akoma më shumë, duke i dhuruar kundërshtarit hapësira të tepërta. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse e njëjta situatë mund të ndodhë edhe kundër Fiorentinës. Ata luajnë shumë mbi gabimet e kundërshtarit dhe shfrytëzojnë kundërsulmet me lojtarët e tyre të shpejtë”.
Marrëdhënia me tifozët: “Jam në këtë botë të futbollit prej rreth 25 vitesh dhe kam parë gjithçka. Respektoj opinionet dhe mbi të gjitha tifozët që vijnë në stadium për të parë Juven të fitojë. Kanë mbetur edhe 30 pikë në lojë, duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm, duke ndryshuar këtë situatë ndeshje pas ndeshjeje. Atmosfera në stadiumin tonë tani është e vështirë, ndaj duhet të bëjmë më shumë për ta ndryshuar atë përmes rezultateve”.
Mungesa e Locatellit në kombëtare: “Ai ka një përgjegjësi të madhe dhe dëshirë për të luajtur me kombëtaren. Nga njëra anë, respekton vendimin e trajnerit, sepse është një profesionist i madh dhe e kupton rolin e tij. Nga ana tjetër, do ta shfrytëzojë këtë moment për t’u rikuperuar fizikisht dhe mendërisht, për të kaluar kohë me familjen e tij. Nuk është i lumtur, por është një profesionist i madh. E pranon dhe e respekton vendimin. Do të përpiqet të rikuperojë energjitë për ndeshjet e ardhshme”.
Si mund të mposhtet Fiorentina: “Do të zbresim në fushë për të konkurruar me kundërshtarin. Gjithë përgatitja jonë është bërë me mendjen te Fiorentina. Është një kundërshtar i fortë. Duhet të mundohemi të fitojmë duelet në fushë, secili në zonën e tij, për të dalë mbi kundërshtarin. Nesër kemi një mundësi të madhe për të treguar vlerat tona ndaj një ekipi që po kalon një moment të mirë”.