Flamurtari do të hedhë në gjyq Ernest Gjokën. Ish-trajneri fitoi gjyqin e dytë në FSHF, sipas të cilit klubi vlonjat i detyrohet 26 mijë euro. Në një reagim të dhënë dje për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi deklaroi se kontrata e Gjokës ka qenë 50 mijë euro dhe 30% duhet t’i derdhte në Tatime. Por kjo nuk ka ndodhur dhe ekzekutimi është bërë bruto, kur duhet që të ishte neto.

“Përgjigjja që na ka kthyer Ministria e Financave. Do të shkoj në gjyq me patjetër. Unë fola me Drejtorinë e Tatimeve dhe shuma që këta kanë paguar është shumë që ka ardhur në ekzekutim bruto, kur duhet të ishte neto. Që do të thotë kontrata, e zotërisë ka qenë 50 mijë euro bruto, aty nuk ka detyrim tatimor të derdhur. Domethënë, 30% te kontrata duhet të derdhën në Tatime. Gjoka i ka marrë lekët e së parës dhe së dytës.

I kanë ekzekutuar në FSHF. Për ata që i kanë ekzekutuar këto, ne iu drejtuam Ministrisë së Financave, e cila na argumentoi se 29.7% e kontratës duhet të derdhet pranë Drejtorisë së Tatimeve ose do të fillojë procedura penale. Kontrata ka qenë e qartë. Ajo ka qenë 50 mijë euro, kanë qenë bruto. E mbani mend ju që unë e thashë sa erdha në vitin e parë, që nëse do të shkonin në Kupat e Europës, do ta rimbursoj unë atë që kanë paguar këta? Pra, këta, atë vit, jo që nuk kaluan në Europë, por ikën dhe u larguan. Patëm probleme ne me ribërjen e ekipit, si gjithmonë, dhe në fund fare është problemi i tatimit. Kush do ta paguajë në shtet tatimin e tyre? Zyra e Tatimeve dhe Ministria e Financave na kanë kthyer një përgjigje zyrtarisht”, është shprehur fillimisht Idrizi.

TË TJERËT – Sinan Idrizi thotë se ka edhe raste të tjera. Administratori u bën thirrje të gjithë ish-futbollistëve që kanë kontrata të ekzekutuara si bruto, të derdhin detyrimin në shtet ose në të kundërt do të jenë debitorë të gjithë dhe do të shkojmë në gjyq.

Nuk është vetëm ky rast. Është edhe rasti i një tjetër “ish”-i, që ka fituar gjyqin me Flamurtarin. Është i njëjti rast, për të cilin na ka kthyer përgjigje Ministria e Financave, që kontrata është bruto dhe këto para duhet të kthehen në Zyrën e Tatimeve. Do t’i ballafaqojmë dhe do të shkojmë në gjyq. Unë pata një takim sot (dje) me Zyrën e Tatimeve dhe Ministrinë e Financave dhe iu dhashë të njëjtin qëndrim. Do t’i çoj në gjyq, pasi nuk është çështja që të marrësh lekë nga xhepi.

Unë i kam deklaruar të gjitha. Unë i ftoj vullnetarisht të gjithë këta që kanë marrë te Flamurtari kontrata të ekzekutuara si bruto, të derdhin detyrimin në shtet ose në të kundërt, do të jenë debitorë të gjithë. Do të shkojmë në gjyq se nuk kemi çfarë të bëjmë më. Unë nuk mund të paguaj rroga 50 mijë euro që kanë qenë bruto dhe në fund të paguaj po prapë unë për të tjerët”, u shpreh Idrizi.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb