Një fitore e rëndësishme sa një edicion! Kështu mund të cilësohet suksesi ndaj Moldavisë, një sukses i vuajtur, që erdhi vetëm në pjesën e dytë, por që në fund vlen tre pikë dhe lejon Shqipërinë të ëndërrojë, pasi kreu është vetëm 3 pikë larg.

Në përballjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, Edi Reja kishte vendosur të bënte ndryshime të mëdha në krahasim me takimin e humbur në Islandë. Jashtë loje Kastriot Dermaku, Migjen Basha, Taulant Xhaka, Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi. Nga minuta e parë rikthehej Mërgim Mavraj, që mbante dhe shiritin e kapitenit, Ylber Ramadani, Ergys Kaçe, Armando Sadiku dhe Myrto Uzuni. Gjashtë të tjetër të pandryshuar, skema po ajo, 3-5-2, me Hysajn dhe Lenjanin që vepronin nga krahët.

Dhe pikërisht Hysaj ka momentin e parë të mirë për shënim në minutën e 8-të, por topi del mbi tra, pasi anësori i Napolit nuk godet siç duhet. 12 minuta më pas është Armir Abrashi që mund të koordinohej më mirë në zonë. Topi fluturon larg. Minuta e 24-ët dhe moldavët janë me fat. Gjuajtja e rreptë e Sadikut nga jashtë zonës pritet mrekullisht nga Koshelev, ndërsa tentativa e dytë e Lenjanit ndalet nga mbrojtja.

Shqipëria pretendon një penallti në të 32-ën. Armash e prek topin dukshëm me dorë, por nuk është i mendimit për ndëshkimin ekstrem kryesori finlandez. Moldavia shfaqet për herë të parë në këtë fraksion loje në të 39-ën, por gjuajtja e Damashkan është qëndrore dhe pritet pa vështirësi nga Etrit Berisha. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndonëse kuqezinjtë kanë dominuar.

Në pjesën e dytë, trajnerët u besojnë titullarëve, ndërsa janë moldavët ata që japin shkëndijën e parë, kur Suvorov bën gjithçka mirë, veç gjuajtjes, ndërsa në të 54-ën Tamashkan gjuan rreptë, por me fat Berisha që sheh topin të dalë jashtë.

Reja vendos të ndryshojë. Jashtë Sadiku dhe Lenjani, në fushë Cikalleshi dhe Roshi, me fierakun që zë korsinë e majtë. Dhe pikërisht “raketa” do të jetë ai që do sjellë panik në mbrojtjen moldave në disa momente, për të kulmuar me inkursionin e minutës së 66-të, kur fton Cikalleshin në gol, me kavajasin që gjen rrjetën e parë kuqezi dhe i jep fund mallkimit të shtyllave.

Shqipëria tani kërkon të ulë ritimin dhe bën gabim sepse në minutën e 80-të Boicuic është pa fat kur sheh gjuajtjen e tij me kokë të dalë pak sipër traut të Berishës. Moment ky që shkund tanët dhe i bën të shohin nga porta mike. Gjithçka kulmon me golin e shkëlqyer të Ylber Ramadanit. Ish-mesfushori i Partizanit lëviz bukur në hyrje të zonës dhe shkarkon të djathtën duke e mposhtur Koshelevin në shtyllën e tij dhe duke vulosur suksesin e dytë të Shqipërisë në grupin H.

Tashmë, pas 4 ndeshjes, kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja janë në vendin e tretë në grup me 6 pikë. Kryesojnë në kuotën e 9 pikëve tre ekipe, Franca, Turqia dhe Islanda. Për momentin, çdo gjë mbetet e hapur për Kombëtaren tonë!

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb