Në kulmin e tensionit dhe kaosit, Barcelona shkëlqeu përballë Athletic Bilbao, triumfoi me rezultatin 2-0 duke “fluturuar” në finalen e Superkupës së Spanjës. Ekipi i Hansi Flick zgjidhi gjithçka me nga një gol për çdo pjesë. Në minutën e 17-të, Balde dhuroi një assist për Gavi-n, me futbollistin spanjoll që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë. Festa ishte e madhe në radhët e Barcelonës pasi ky gol do të thotë shumë për mesfushorin, i rikthyer pas një dëmtimi shumë të gjatë.
Bilbao nuk qëndroi pasiv në këtë takim, u përpoq të ngacmonte portën e Sheznit në disa momente, por pa sukses. Me fillimin e pjesës së dytë ishte Lamine Yamal që u shkëput shpejt dhe në zonë nuk fali duke dyfishuar shifrat. Praktikisht ky goli vrau sfidën pasi Bilabo e kishte të pamundur të rikthehej në lojë, nuk kishte asnjë efekt as hedhja në fushë e Nico Williams.
Suksesi i Barcelonës përballë Bilbaos, por dhe federimi i Dani Olmos dhe Pau Victor “pushtoi” faqet e para të mediave spanjolle: “Gol në fushë dhe gol në zyrë”, shkruan AS. “Fitore e dyfishtë”, ishte titulli i përzgjedhur nga Mundo Deportivo.
Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses të dyfishtë, Hansi Flick: “Lajmin për regjistrimin e dy lojtarëve e morëm në autobus. Ne jemi një skuadër, dëshironim të fitonim edhe për Dani Olmo-s dhe Pau Viktor, por dhe për të gjithë grupin. Sigurisht që e merituam. Kishte disa momente që nuk ishim dominues, por jam i kënaqur me lojën e shfaqur. Objektivi ishte të arrinim në finale dhe jemi të lumtur”, u shpreh Flick.
(BalkanWeb)