TIRANË- Analisti Fatos Lubonja ka komentuar nga studio e News24 në rubrikën “Opinion” zgjedhjet në Gjermani dhe fitoren e mandatit të katërt të kancelares Angela Merkel.

Ai tha se me gjithë fitoren ka një rënie të partisë së Merkel me 18% dhe duke e krahasuar me Francën tha se kjo rënie është për partitë europeiste, ndërkohë që ka rritje të partive euroskepticiste.

Lubonja tha se shqiptarët duhet ta ndjekin situatën në Europë si të lidhur ngushtë me të ardhmen e tyre dhe të vendit, si një vend që synon anëtarësimin në BE.

Merkel fitoi mandatin e katërt në Gjermani, si i keni lexuar këto zgjedhje?
Janë të krahasueshme edhe me zgjedhjet në Francë, si fenomen. Në një krah vihet re ulja e votës për partitë tradicionale, në këtë rast CDU e Merkel dhe partia social demokrate. Rënia është rreth 18% për të dyja, votë që nga ana tjetër shkon tek partitë, populiste, që janë parti të ekstremit të djathtë, si e Le Pen. Këto vota kanë shkuar për këtë parti, që është antieuropeiste, një pjesë e këtyre votave që i ikën Merkelit, i shkuan liberalëve, pjesa tjetër ka shkuar për të gjelbrit. Ajo që ka ndodhur është rënia e legjitimitetit e partive tradicionale, europeiste dhe rritja e euroskepticizmit.

Koalicioni që kishte Merkeli bashkë me social-demokratët ishte më europeist se ai koalicion që do të dalë. Mund të jetë një koalicion që duke patur parasysh edhe krahun e djathtë që ka hyrë në parlament, më pak europeist. Jemi në një situatë goxha të komplikuar.

Po shohim një fundosje të së majtës, në të gjitha zgjedhjet në vendet e BE-së…
E majta ka hyrë në krizë prej kohësh, qysh kur në një farë mënyre duke dashur ti përshtatet fenomeneve që ndodhën pas Murit të Berlinit, mori pak a shumë një program të djathtë dhe u bë si një kopje e partive të djathta liberale. Një nga ndjeshmëritë e mëdha që duhet t’i plotësonte e majta i plotëson e djathta.

Në vend që t’i mbulojë e majta ka filluar t’i mbulojë ekstremi i djathtë që ka shtuar edhe fenomenin e rrezikut nga emigracioni. Pra punëtorët ndihen të rrezikuar nga emigracioni që po i zapton, po iu merr punën. Këtë ndjeshmëri gjithnjë e më shumë e ka mbuluar e djathta që thotë ishim më mirë kur ishim vetëm.

E majta nuk ka gjetur dot alternativën dhe është ndarë më dysh: midis një të majte të moderuar të qendrës dhe një të majte që është më për ato vlera që njihet tradicionalisht e majta. E majta normalisht që kërkon sot Europa, dhe ka një rrymë, është ajo për një Europë tjetër, të solidaritetit se sa të bankave e bizneseve të mëdha. Kjo Europë e solidaritetit ndihet e rrezikuar nga emigracioni.

Albin Kurti iu kërkoi shqiptarëve në Gjermani të mos votoni për AFD-në por për Schulz, kjo shkaktoi sulme e polemika ndaj VV-së. Si e patë këtë gjë?
Do ishte gjëja më normale që edhe në vendet tona të kishte parti që kanë programe edhe për Europën dhe vendin që të debatohen. VV ka shumë të drejtë që bën thirrje. Ka shumë emigrantë shqiptarë në Gjermani. Dihet që partia social demokrate është më afër emigrantëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb