* Starton “Të paekspozuarit”, Ylli Rakipi sjell në News24 “Trump, presidenti që tronditi botën”

TIRANË- Emisioni “Të paekspozuarit” i gazetarit të njohur Ylli Rakipi ka ngritur sot siparin në televizionin “News24” për të sjellë personazhe dhe debate me temat më të nxehta të aktualitetit. Sonte Rakipi sjell në studion e “News24” pikërisht debatin për Presidentin e sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. Analistët Fatos Lubonja, Andi Bushati, politologu Henri Çili dhe deputeti Ben Blushi flasin sot për “Trump, presidenti që tronditi botën”.

Pyetjeve të gazetarit Ylli Rakipi se pse i duhet një njeriu si Trump, Presidenca e Amerikës apo nëse e kishin pritur që ai të fitonte, të ftuarit e panelit të tij i dhanë përgjigje të ndryshme. Ndërsa analisti Fatos Lubonja zgjodhi një shprehje të Marie Le Pen për të treguar se çdo të thotë fitorja e Trump, deputeti Ben Blushi tha se nuk besoi tek fitorja e tij deri në momentin e fundit.

“Fitorja e tij sot në botë krahasohet me rënien e murit të Berlinit, apo 11 shtatorin për impaktin që do t’i japë botës. Nuk është si ndërrimi Bush-Obama apo Clinton me Bush. Ashtu siç thotë Marie Le Pen zgjedhja e tij “Nuk është fundi i botës por i një bote”,- tha Lubonja.

“Jo nuk kam besuar deri në fund. Më duket e habitshme, ishim mësuar me Clinton si profesioniste, ka qënë Sekretare Shteti, senatore dhe për shkak të figurës kontroverse të Trump”,- tha Blushi,

Deputeti më tej shprehu habinë se si të varfrit e Amerikës kanë zgjedhur ta votojnë atë.

Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi tha ndër të tjera se e kishte të pamundur të parashikonte pasojat e fitores së Trump duke u nisur nga deklaratat e këtij të fundit në fushatë.

“E kam të pamundur të kuptoj se çfarë do t’i sjellë Amerikës fitorja e tij, por dhe çfarë pasojash do ketë për pjesën tjetër të Botës. Premtimet e tij ishin paradoksale, premtoi ulje taksash edhe për të pasurit edhe për të varfrit. Nuk e di nëse Amerikan nën drejtimin e Trump do jetë më e dobët, më pak e përfillur, nëse do ketë një valë të re terrorizmi, nëse do zbusë marrëdhëniet me Rusinë, apo di t’i ashpërsojë me Kinën”.

Blushi më tej, tha se më shumë se sa Trump ka fituar nevoja e amerikanëve për tu ndjerë të mbrojtur. “Amerikanët janë të lodhur nga valët e emigrantëve që vijnë nga Meksika, besojnë që ju sjellin drogë, prostitucion”.

Më tej ai tha se zgjedhja e Trump vjen si pasojë e revoltës popullore ndaj pabarazisë dhe është e ngjashme me “Brexit” në Britaninë e Madhe.

Për gazetarin Rakipi, bota është e shokuar dhe nuk e kupton as vetë pse fitoi Trump, ndërsa analisti Lubonja rendit 3 arsye që sipas tij e kanë çuar atë drejt Shtëpisë së Bardhë.

“1.Trump fitoi se vuri Amerikën që parën. 2. Me tezën e amerikanëve të bardhë që kanë humbur madhështinë e Amerikës se është përzierë shumë. 3 Është konservator për gjithë këto çështje, jo vetëm racizmi por edhe martesat gay, po ashtu për çështjen e armëve”.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb