Nga FATMIRA NIKOLLI*

Pasi u bë publik lajmi se kompozitori Aldo Shllaku është tërhequr dhe se për Elhaidën do të bëhet këngë e re nga “Zzap’n’Chriss”, praktikisht një tjetër nga ajo që u shpall fituese, komentet kanë qenë të ndryshme. Shumëkush ka pyetur, pse duhet të bëhet këngë e re, kur mund të shkojë kënga që mori vendin e dytë në Festivalin e RTSH-së në dhjetor. E vendin e dytë, e ka fituar Bojken Lako me këngën “Të ndiej”. Por, ndërkohë që zëra të ndryshëm shprehin mendime të ndryshme, vetë Bojken Lako nuk kërkon të shkojë në Eurosong. Në një intervistë për “GSH”, ai ka sqaruar dje arsyet pse edhe pas kompozimit të një këngë të re (që nuk është përzgjedhur nga juria), duhet sërish të shkojë Elhaida.

“Unë nuk kam marrë pjesë ndonjëherë në festivalin e RTSH-së që të shkoj në Eurosong. Nuk e kam parë RTSH-në si një katapult për Eurosong-un. Mendimi im që kur festivali u lidh me këtë formulë, ka qenë se është gjë e mirë, por në një farë mënyre u bë, shumë më i përfolur, shumë më i diskutuar dhe shumë më problematik”. Këngëtari i njohur Lako, shprehet se e ka vlerësuar Festivalin e RTSH si një eveniment klasik, me shumë traditë dhe si një ‘histori’ që vazhdoi të rritet edhe nga ana teknike e ku çdo artist ka dashur të marrë pjesë për të performuar në mënyrë profesionale me orkestrën e RTSH-së. “Këto kanë qenë kënaqësitë e mia për pjesëmarrjen në festival. Nuk kam shpresuar që të marr pjesë në Eurosong, edhe pse çdokush do e donte”. Mandej ai rendit, disa arsye pse një festival nuk është domosdoshmërisht ‘ligjvënës’ për të zgjedhur përfaqësues për Eurosong.

“Kam thënë disa herë që shumë pak shtete janë ato që përfaqësuesin për në Eurosong e nxjerrin nga një festival. Shtetet e tjera kanë forma të ndryshme për të përzgjedhur një këngëtar përfaqësues për Eurosong. Gjermania mbledh një bord muzikantësh, i drejtuar nga Ministria e Kulturës, zgjedh 5 kompozitorët më të mirë, zgjedh këngëtaren më të mirë gjermane të momentit, e cila verifikohet lehtë nga shitja dhe pëlqyeshmëria. Më pas kompozohen pesë këngë ku zgjidhet më e mira dhe i jepet këngëtarit. Pra, nuk ka një festival”, ndaj nuk ka rëndësi konkursi në vetvete.

Për Bojken Lakon, të gjitha këto biseda apo ‘rrëmuja’ që është krijuar është më shumë mediatike. “Elhaida është një nga këngëtaret më të spikatura shqiptare, që tashmë e ka marrë një formë përkrahje në Itali, duke fituar një konkurs të rëndësishëm atje. Unë, që kur mbaroi festivali, nuk vlerësova këngën, se mbase ajo këngë nuk është në shijet e mia, por mu bë shumë qejfi që do shkonte Elhaida në Eurovizion. Ajo është një artiste që e meriton të lançohet dhe kur industria muzikore italiane i ka dhënë goxha shtytje, pse të mos i japë edhe Shqipëria, për ta çuar më larg publikimin e saj, për të dhënë vlerat e saj vokale, që më vonë mund të bëhet edhe artiste ndërkombëtare”, – shprehet këngëtari, duke treguar mbështetje të hapur për Danin, edhe pse ai ka fituar çmimin e dytë në festivalin e RTSH-së.

“Kur e mora vesh që ka pasur probleme me kompozitorin, më erdhi akoma më keq. Unë kam kënaqësinë që Elhaida po e vazhdon konkurrimin mes këtyre tymnajave të luftës mediatike që është krijuar. Ajo po arrin të shkojë atje, siç u vendos dhe për mendimin tim, duhet të lançohet si këngëtare. Madje, është shumë mirë që po shkon në Eurosong edhe me këtë formulën tjetër, që mbase është më e menduar”. Pyetjes së drejtpërdrejtë pse nuk dërgohet atje fituesi i çmimit të dytë (pra Lako), ai i përgjigjet: “Unë nuk jam fare që të shkojë në Eurovizion një këngë që patjetër fiton festivalin. Unë dua që të shkojë Elhaida, që të vijojë publikimin e saj. Nuk do doja që të ndërhynte asnjë gjë në këtë rrugë të sajën drejt Eurosong. Sanremo, një herë çon këngën që fiton çmimin e jurisë, e një herë çmimi i parë. Është diçka që caktohet. Ajo do marrë vota nga publiku italian në Eurosong, ndaj duhet të shkojë ajo”, e mbyll intervistën Lako.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb