Ismail Kadare e bëri gjuhën dhe kulturën shqipe të pavdekshme në botë. Emri i tij dhe trashëgimia e veprës së tij do të ngelen përgjithmonë në panteonin e të mëdhenjëve të letërsisë botërore.
Takimet dhe bisedat e zhvilluara me Ismail Kadarenë do t’i ruaj përherë në memorien time si një kujtim tepër i çmuar. Kujtoj që në një bisedë të zhvilluar në maj të 2022, ai përveç çështjeve të kulturës, letërsisë dhe historisë, më foli me një sinqeritet të admirueshëm edhe për lidershipin historik shqiptar…
Në një tjetër bisedë, gjeniu i letrave shqipe u bë edhe kumbarë i librit “Themeluesi”. Në traditën abrahamike, “Ismail” do të thotë Zoti i dëgjoi lutjet tuaja. Dhe unë besoj se Zoti i ka dëgjuar dy herë lutjet e shqiptarëve, njëherë kur iu dha Ismail Qemalin dhe njëherë kur iu dha Ismail Kadarenë…Megjithatë thuhet se: “Zoti nuk i krijon njerëzit e mëdhenj për nevojën e vetëm të një kohe dhe të vetëm një populli, por për nevojën e të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave.”
Sot në ditën e kalimit të tij në amshim dëshiroj që t’a kujtoj me fjalët e tij për librin “Themeluesi”, të cilat janë dhe të fundit fjalë të tij të botuara në një libër:
“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”