TIRANË

Anëtari i Kryesisë së PD Fatbardh Kadilli e ka cilësuar të padurueshëm fjalimin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi i cili foli për anulimin e seancës së nesërme parlamentare dhe vendimin e opozitës për djegien e mandateve.

Kadilli shkruan se Ruçi, ministri i fundit i diktaturës, përgjegjësi i 2 prillit dhe 4 të vrarëve në Shkodër që donin demokracinë bëri sot leksione demokracie. Ai i drejton dhe tre pyetje kryetarit të Kuvendit.

POSTIMI I KADILLIT

Leksioni i padurueshëm i Gramoz Rucit!
Gramoz Ruçi ministri i fundit i diktaturës, frymëzues i vullnetarëve të Enverit, përgjegjësi i 2 Prillit dhe i katër të vrarëve në Shkodër vetëm e vetëm se donin demokracinë, është kthyer sot në lektor demokracie. Është e tepërt që në 20 Shkurt të dëgjojnë shqiptarët leksion nga Ruçi. Për çfarë? Për demokracinë, për protestën, për parlamentarizmin?
Në protestën e 16 shkurtit, më e madhja në histori nuk u lëndua asnjë polic, përkundrazi protestuesit u dhanë ndihmën e parë policëve që u dhunuan nga gazi helmues i hedhur në drejtim të protestuesve. Në asnjë rast asnjë protestues nuk preku një polic, madje i duartrokitën kur braktisën detyrën, madje u dhanë dhe lule. Protestuesit e Gramoz Rucit dhe Edi Ramës erdhën me hunj e çadra dhe goditën e dhunuan në mënyrë të pamëshirshme policinë. Edi Rama dhe Gramoz Ruçi e kishin planifikuar që të merrnin pushtet mbi kufoma, prandaj u dhanë pushtet politik përfaqësuesve të grupit të zjarrit të 21 janarit.
Dhe disa pyetje për Ruçin:
A ka ndonjë vend tjetër në boten demokratike që një përdhunues bëhet Kryetar Bashkie? A ka në ndonjë vend demokratik një trafikant femrash deputet, një bashkëpunëtor në trafik droge ministër të brendshëm etj, etj? A ka në ndonjë vend demokratik funksionar politik të kapur në përgjime nga prokuroria në bashkëpunim me krimin për blerje votash dhe që nuk hetohen?
Kjo është e vërteta e hidhur e shqiptarëve sot.
Kjo është e vërteta e 20 shkurtit të pa kryer.
Kjo është e vërteta e misionit të sotëm të opozitës dhe çdo qytetari në opozitë me të keqen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb