TIRANE-Fjodora Fjora prej së dielës do të shfaqet në “News 24” me emisionin e saj “Chic”. Në një intervistë për “Bluetooth”, moderatorja zbulon se çfarë fshihet pas të gjitha lëvizjeve të fundit mediatike, tregon për punën e saj dhe dashurinë për “Chic” që edhe pas tetë viteve nuk është konsumuar aspak, e vazhdon të jetë po aq e fortë. Të dielën në “News 24”, do të shihni gazetaren e përgatitur, moderatoren e dashur, por me siguri do të vini re edhe një buzëqeshje ndryshe, një Fjodorë me tjetër lumturi në sy që duket sikur i ka dhënë edhe më shumë personalitet. Ne e vumë re gjatë bisedës me të dhe kuptuam shpejt që e gjithë kjo është falë një dashurie tjetër, shumë më të madhe. Sot Fjodora është nëna e lumtur e një djali të vogël.
Fjodora pse pas kaq shumë vitesh lëvize nga një televizion në një tjetër e në fund u vendose në “News 24”? Çfarë ndodhi?
Nuk ndodhi asgjë e veçantë. Ndoshta kishte ardhur momenti që pas tetë vitesh në “Vizion”, duhej bërë një lëvizje. Nga atje kam ikur me përshtypje jashtëzakonisht shumë të mira, madje ditën e fundit qaja me kolegët e u thosha “s’dua të iki”. Mirëpo njeriu ka nevojë të ndryshojë, edhe për të provuar veten në momente të tjera. Kisha nevojë për një lloj lëvizjeje dhe për këtë arsye zgjodhëm që të bënim një emision në një televizion tjetër. Nuk shkoi aq mirë sa ç’prisja. Sigurisht emisioni vërtetë pati një kanalizim të mirë dhe audiencën e vet sepse unë tanimë kam një grup njerëzish që më ndjekin prej vitesh, mirëpo propozimi për t’u rikthyer me “Chic” në “News 24”, ishte më tundues. Ndaj vendosa të jem në “News 24” e t’i kthehem “Chic”-ut, se njerëzit më identifikojnë shumë me të.
Pas kaq shumë vitesh në televizion, a s’ke menduar të bësh diçka më të madhe se “Chic”?
Unë kam bërë gjëra më të mëdha se ky emision gjatë viteve. Kam bashkëdrejtuar spektakle, kam qenë në formate të tjera, edhe kam marrë pjesë nëpër spektakle, por jam e parimit “bëje diçka mirë dhe bëje gjatë”. E kam parim jetësor këtë dhe të gjitha projektet e tjera që dalin rrugës mund të jenë një shtojcë e asaj që unë kam si bazë. Nuk jam fare fanse e spektakleve, jam më shumë për emisionet gazetareske. Prandaj vazhdoj me këmbëngulje atë që dua të bëj. Nuk jam për formate më të mëdha, për show, nuk hyjnë në karakterin tim. E kam thënë gjithmonë, unë jam gazetare pastaj prezantuese. Bëj gazetari dhe emisioni im është i tillë, sjell këndvështrime gazetareske që sigurisht nuk janë show.
Si po gjendesh në “News 24”? Si të duket ambienti, stafi, mënyra se si punohet?
Më ka bërë përshtypje fryma e “News 24”. Kam shumë vite eksperiencë në televizion, kam punuar dhe në “Klan”, kam marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët e mi. Por kam ardhur në “News 24” dhe më ka habitur mënyra e organizimit, të cilën të them të drejtën nuk e prisja, sidomos për njerëzit që vijnë të ri. Ka një lloj serioziteti shumë të madh nga i gjithë ekipi, për t’u përkushtuar maksimalisht në mënyrë që projekti i ri të vihet në punë. Dhe kur them “News 24”, i referohem të gjithë kompanisë, jo vetëm televizionit, por edhe “Balkanweb”-it, “Gazetës Shqiptare”. I gjithë media-grupi tregon një vëmendje të veçantë për të promovuar produktin e vet, personazhin që ka marrë në punë, emisionin që do të bëhet. “Chic” do të vijë i riformatuar që nga grafika, skenografia, përmbajtja e cila ka disa ndryshime nga ai i mëparshmi. Kjo është arritur në bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjitha hallkat, duke filluar nga drejtuesit kryesorë, drejtori i lajmeve, i programacionit, të cilët kanë mbledhur disa herë të gjithë stafin për të ndërtuar punën siç duhet. Kur erdha në “News 24” me thanë një shprehje të cilën në fakt e mora pak me skepticizëm. Më thanë: Sot janë mbledhur të gjithë këtu, që kur të kesh nesër pyetjen “kush mund ta bëjë këtë”, të mos ngelesh pa përgjigje. Dhe në fakt funksionoi! Është një zinxhir shumë i mirë. Këtë të diel ne dalim me emisionin e parë i cili është gati. Mendoj se jemi gati edhe për emisionin e dytë e gjithçka ka funksionuar në mënyrë fantastike. Mbetet vetëm të kesh dëshirë për të punuar.
Pse teleshikuesit duhet të shohin “Chic” të dielën?
E para njëherë, që të mos shohin telenovela, jo të gjithë i pëlqejnë. Mendoj që mund të marrin pak art e kulturë dhe është një investim shumë më i mirë për veten se sa të shohin një telenovelë. Vetë jetët tona janë kthyer në telenovela, të ngarkuara me drama, vrasje, histori të pamundura etj. Kush nuk do, ka këtë alternativë, të marrë një informacion kulturor. Duhet të na ndjekin sepse “Chic” çdo të diel do të përpiqet të mos trajtojë tema që janë ezauruar përgjatë javës në emisione të tjera. Kjo falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me programacionin dhe informacionin, që të mos ketë përplasje me emisionet e tjera. Në emisionin e parë kemi një reportazh shumë të bukur për Ministrinë e re të Kulturës që tani është vendosur në ish- Kinostudio. Për herë të parë do të shfaqen pamje ekskluzive të viteve 1951-1952 nga arkivi i shtetit, të Kinostudios. Do të jetë vetë ministrja Kumbaro që do të na shpjegojë se çfarë ka ndodhur me godinën, çfarë e transformuar e çfarë është ruajtur, referuar dekorit dhe arkitekturës. Përpos kësaj, nuk mund t’i shpëtonim një ngjarjeje të rëndësishme gazetareske si “Charlie Hebdo”. Do të ketë disa opinionistë të rëndësishëm të cilët flasin për këtë.
Do të jenë të gjitha në terren, apo ke edhe të ftuar në studio?
Jo, do të ketë një të ftuar në studio dhe ky është ndryshimi. Megjithatë pjesa më e madhe e rubrikave do të jenë jashtë.
Në look-un tënd, do të bësh ndryshime? Do i ndryshosh flokët për shembull?
Po, që tani flokët i kam bërë pak më të errëta (qesh). Nuk do të bëj ndonjë ndryshim të madh. Pamja e jashtme është e rëndësishme për një figurë publike dhe përpiqemi të eksperimentojmë me këtë. Por në fakt unë më shumë e bëj këtë në jetën e përditshme se sa në ekran. Në ekran përpiqem gjithmonë të jem vetja ime, sepse kam krijuar një linjë shumë të mirë dhe një ndjesi pozitiviteti. Të gjithë ma pëlqejnë stilin, ju duket shumë elegant, për këtë madje janë shprehur publikisht edhe personazhe shumë të njohur. Më pëlqen kjo lloj qetësie me stil jo agresiv që ju përçoj njerëzve.
Të ka kushtëzuar “Chic” në jetën e përditshme, a duhet të jesh gjithmonë shik ti vetë? Apo del edhe me shapka për të blerë bukën?
(Qesh) Po dal, se njerëz jemi. Ne jetojmë në Shqipëri dhe përsa kohë këtë e bëjnë edhe yjet e mëdhenj të botës që dalin si të ndihen më rehat, edhe unë jam tip shumë sportiv. Fundjava më gjen edhe me shapka, atlete, apo edhe me ndonjë kapele në kokë. Është e vërtetë që jam drejtuesja e “Chic”, por elegancën përpiqem ta ruaj kur dal në vende publike. Në përditshmëri e shoh veten në pasqyrë dhe kur më pëlqen e vesh. Kur s’më pëlqen mund të rri një orë përpara dollapit e të merrem me atë punë, por jo me qëllimin për t’u dukur shik. Qëllimi është të ndihem komode me veten time. S’jam e fiksuar pas modës, por kam një stil personal.
Djalin si e ke?
Mirë e kam marshalla (qesh). Është i vogël, më mbush jetën dhe po jetoj muajt e kohët më të bukura. Është në fazën më të bukur që çdo prind e shijon, çdo fjalë të parë, lëvizje e ekspresivitet të tij.
Kush ta mban djalin kur je në punë?
Prindërit. Ata po më ndihmojnë për momentin, por sigurisht shkon edhe në çerdhe.
Ke ndryshuar televizion, ke ndryshuar “Chic”-un, ke marrë statusin prej nëne, por statusin prej beqareje kur do e ndryshosh?
Unë nuk them kurrë jo. ‘Che sia il benvenuto’ (është i mirëpritur), thonë italianët (qesh).
Ke vënë gjë në vijë?
Asgjë s’kam vënë në vijë (qesh). S’kam kohë, jam e zënë.
Ku janë këta meshkujt?
Po hë pra, ku janë (qesh).

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb