TIRANE-Ka qenë një status i këngëtares kosovare Flaka Krelani, në të cilin ajo shprehte keqardhje për faktin se në Gjakovë u shpenzuan mijëra euro për këngëtarin Alban Skënderaj e jo për klubin e sportit të qytetit, që u shndërruan në një lajm shoqëruar me qindra komente.

Të shumtë ishin ata që e akuzuan Flakën si xheloze ndaj suksesit të Albanit, dhe këngëtarja nuk hezitoi t’u përgjigjej me një status të dytë. “Meqë statusi im kishte një qëllim tjetër, në shoqërinë tonë mori një kahje komplet tjetër, mbetet të sqarohet i gjithë ky thelbi i mendimit tim të drejtë! Këtë e bëj jo pse u frikësohem mendimeve të njerëzve dhe të drejtës së shprehjes së tyre, por sepse i frikësohem kur të vërtetën mundohet ta mbulojë keqkuptimi ose të deformohet ajo. Unë nuk kam problem ose xhelozi ndaj Alban Skënderajt, siç shprehen persona të caktuar, e as nuk mundohem që të shfryj mllefin përmes një statusi. Mos harroni të kujtoni që dikur ai kishte problem me mua, e jo unë me të. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj periudhe, që me rastin e festivalit, asnjëherë në asnjë media nuk ka ndodhur të jap as edhe një intervistë që të jetë kundër gjestit, edhe pse për mua ka mundur të jetë kulmi i suksesit tim. Ka qenë e dhimbshme, mirëpo besoj se ai, një artist i cili ka ecur nëpër hapat ku ecim të gjithë artistët, i kuptojmë më mirë se ju gabimet e qëllimshme ose të paqëllimshme që ia shkaktojmë njëri-tjetrit.

Në atë koncert i cili është mbajtur në Gjakovë, ka mundur të jetë Flaka Krelani! Kështu që le të zëvendësohet X artist me Albanin, mirëpo le të mbetet i njëjtë mendimi im për harxhimin e shumave të caktuara të parave për koncerte individuale, e në të njëjtën kohë të vuajë një klub për të cilin krenohemi ne si qytetarë, i cili është Vëllaznimi! Unë isha vetë në koncertin humanitar, ku u munduam në njëfarë mënyre ta ndihmojmë këtë klub, dhe u ndjeva e pikëlluar thellësisht me pjesëmarrjen e vogël të qytetarëve të vendit tim, dhe thjesht mendova: Si është e mundur të paguhen 7€ për dy net rresht në një koncert, për të cilin jam shumë e pajtimit që të shkohet, mirëpo aspak e pajtimit që me një çmim dyfish më të ulët, të mos përkrahet ekipi i vendit, i cili po kalon një fazë jashtëzakonisht të mjerueshme! Mos harroni që, Vëllaznimi është më shumë se një klub! Kurse, sa i përket kontributit tim për qytetin tim, dhe klubit Vëllaznimi, kemi kontribuar, mirëpo përballë këtij qyteti me kaq shumë vlerë, i jam shumë borxhlie. Ndihem krenare që kam guximin të shpreh publikisht mendimin, kritikën, e t’i flas përballë problemit. Dua të them që unë mund të jem nesër ajo e cila gabon, por dua të jeni ju ata që të keni guximin të flisni plot liri dhe me arsye, po ashtu edhe të më kritikoni nëse ndodh të bëj veprime që konsiderohen të gabueshme! Dhe në fund, prapë i qëndroj mbrapa statusit tim. Sinqerisht, Flaka Krelani”, ka shkruar këngëtarja.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: