Të paktën 40 persona janë vrarë në Gazën jugore dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në një zonë humanitare.

Lajmi u bë i ditur nga autoriteti i Mbrojtjes Civile i drejtuar nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha se avioni i saj sulmoi një qendër operacionale në Khan Younis që i përkiste luftëtarëve të Hamasit dhe se kishte marrë hapa për të zbutur rrezikun e dëmtimit të civilëve.

Banorët vendas nga ana tjetër pretendojnë se tre sulme kishin në shënjestër tendat që strehonin njerëz të zhvendosur në zonën humanitare të al-Maëasi, në perëndim të qytetit të Khan Younis.

“Dyzet njerëz u vranë dhe më shumë se 60 u plagosën, ndërsa shumë janë ende nën rrënoja”, tha drejtori i operacioneve të autoritetit të Mbrojtjes Civile të Hamasit për BBC.

Dëshmitarët okularë i thanë BBC-së se shpërthime të mëdha tronditën zonën e al-Maëasi pak pas mesnate dhe flakët mund të shiheshin që ngriheshin në qiell.

Khaled Mahmoud, një vullnetar për një organizatë bamirësie që jeton pranë vendit të sulmeve, tha se ai dhe vullnetarë të tjerë nxituan për të ndihmuar, por ishin të habitur nga përmasat e katastrofës.

“Goditjet krijuan tre kratere shtatë metra të thellë dhe shkatërruan më shumë se 20 tenda”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb