Më e mira e Spanjës do të vijë në Shqipëri nga datat 1 deri më 7 nëntor. Nga flamengo, ekspozita, kinematografi, dokumentare, ekspozita mbi arkitekturën, workshop me kampion botëror në bodybuilding, Java Kulturore Spanjolle premton një atmosferë sa argëtuese por edhe edukative.
Aktivitetet e shumta nisin me ekspozitën “Arkitektura emblematike në Spanjën Bashkëkohore”, që do të qëndrojë e hapur deri më datë 5 nëntor në Galerinë FAB në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kjo ekspozitë që tregon arkitekturën e realizuar në Spanjë në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të, ofron vizionin e një vendi që po avancon dhe ofron propozime të reja arkitektonike me vepra nga arkitektë të njohur ndërkombëtare.
Data 2 nëntor, i është rezervuar një workshopi që do të mësoje teknikat e fotografisë perfektë. “Teknikat fotografike për komunikimin arkitektonik” nga Dr. Ricardo Santonja, një artist vizual, fotograf dhe profesor në Shkollën e Lartë Teknike të Arkitekturës në Madrid, do të mbahet në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Kurse për të gjithë ata që duan të ndihen si në Spanjë, më datë 4 nëntor ora 19:00, në Katedralen Ortodokse në Tiranë, do të organizohet koncerti “Bienvenidos a flamenca” nga Rocio Garrido, fituese e çmimit “kërcimtarja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar la Union 2023”, festivali më prestigjioz kushtuar flamenkos në Spanjë. Një formë arti i gjallë dhe shumë ekspresiv me origjinë nga Andaluzia në Spanjën jugore, Flamengo që përfshin muzikën, kërcimin dhe këndimin dhe muzikën, premton një mbrëmje të mrekullueshme.
Më 5 nëntor, ora 19:00, në Akademinë e Filmit Marubi në Tiranë do të shfaqet dokumentari “Summers el rebelde” nga Dr. Miguel Olid Suero. Ndërsa me datë 6, ora 11:00, në të njëjtin destinacion, në akademinë e Filmit Marubi, Suero do të zhvilloje një Masterclass dhe një konferencë për shtyp mbi temën “Censura në kinematografinë spanjolle: procesi i përpunimit të një dokumentari”.
Për të gjithë të pasionuarit pas sportit, më nëntor, ora 11:00, në Sallë Tonin Harapi tek Liceu Artistik në Tiranë, do të kenë mundësi që të ndjekin një Masterclass nga kampioni spanjoll i botës në Fitnes, Miguel Seijo. Të rinjtë do të marrin leksione dhe këshilla për një jetesë sa më sportive, të tregojnë përkushtim, të stërviten dhe të mbajnë një dietë të shëndetshme për një trup të bukur. Miguel do të flasë edhe mbi sfidat dhe arritjet e tij si sportist, duke inkurajuar të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të zhvillojnë zakone të mira për një trup të shëndetshëm.
E në Javën Kulturore Spanjolle nuk kishte si të mungonte degustimi i gastronomisë apo verërave, aq të njohura në të gjithë botën për larmishmërinë dhe cilësinë e tyre. Java Kulturore Spanjolle do të pasohet nga ajo e Malit të Zi, që premton aktivitete të shumta kulturore e gjithëpërfshirëse.
(balkanweb)