Ish-deputeti i PD Flamur Noka i ftuar në studion e emisionit “Kjo javë” në televizionin News 24 tha se Shqipëria është në emergjencë dhe se Edi Rama duhet të largohet.

“Në krye të vendit, në pushtet kemi një sekt kriminal me Edi Ramën në krye. Shqipëria nuk është në gjendje normale, por anormale. Ne pamë sot vërshimin popullor kundër qeverisë së krimit të Edi Ramës. Zëri i shqiptarëve që ushtoi sot është më i fortë se e keqja që ka zaptuar këtë vend. Ky parlament sot është simbol i së keqes, simbol i krimit, simbol i trafikut të drogës. Ramës iu dha paralajmërimi se do të jesh i rrethuar derisa të largohesh”, tha Noka.

Noka hodhi akuza edhe në drejtim të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

“Sot Policia e Shtetit ka një kupolë të inkriminuar. Kjo polici është zhytur në kthetrat e krimit dhe drogës. Këto lloj policie, e kapur kështu nga krimi nuk e gjen në asnjë shtet të Europës. Kjo polici është e instrumentalizuar politikisht dhe drejtohet në mënyrë kriminale. Policia nuk ndjek trafikantët e drogës, por drejtohet nga ata. Kemi ministër të Brendshëm një person që ka një kupolë që i ka futur thikën Policisë së Shtetit. Shqipëria nuk ka paqe pa u shkëputur nga kthetrat e krimit. Edi Rama dhe sekti i tij i Rilindjes kanë kapur këtë vend dhe ne do jemi këtu derisa ta largojmë atë dhe grupet kriminale që ka pas”, u shpreh Noka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb