Tirana udhëtonte në Vlorë për të zhbërë humbjen në derbi, ndërsa vendësit, ndonëse me 1001 probleme shpresonin që të siguronin një tjetër pikë në këtë start zhgënjyes të sezonit. Takimi nis i vrullshëm dhe kryeqytetasit e Ard Memës do ta shohin veten menjëherë në avantazh, kur në minutën e 4-ët Hasani thyen Moçkën pas një kombinimi të bukur me Majkëll Ngo.

Duket se Tirana e kanalizon ndeshjen ashtu siç ajo dëshiron, por vlonjatët do të kundërpërgjigjen shpejt, madje do t’i japin një dorë ndihmë vetë bardheblutë, kur në minutën e 13-të do të reagojnë keq në zhvillimet e një këndoreje me topin që përplaset te Ngo dhe tund rrjetën e Likës.

Por Tirana nuk demoralizohet. Kjo sfidë duhet fituar dhe është sërish Hasani që merr në dorë fatet e ekipit, kur gjendet në vendin e duhur pas grushtimit të Moçkës dhe kalon sërish bardheblutë në avantazh në minutën e 38-të.

Pjesa e dytë do të jetë vërtet emocionuese. Tirana kërkon golin e qetësisë, Flamurtari atë të barazimit. Situatat e rrezikshme do të jenë prezente në zonat respektive, por në kohën shtëse do të jenë vlonjatët ata që do të trondisin kryeqytetasit, kur në minutën e 91-të, Ardit Hoxhaj do të rikthehë barazpeshën pas një goditjeje të saktë me kokë në zonë. Mbyllet kështu në barazim sfida e Vlorës, Flamurtari merr një pikë morali, ndërsa Tirana tronditet sërish dhe stoli i Ardian Memës lëkunder më shumë se kurrë pas këtij rezultati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb