Sinan Idrizi kërkon që Këshilli i Bashkisë t’i dalë për zot Flamurtarit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori zbulon se ka dorëzuar një dosje në dyert e Bashkisë Vlorë, prej së cilës pret që t’i kthehen mbrapsht paratë që ka paguar për borxhet, të cilat nuk i përkasin.

Kreu i klubit shpjegon se këto parà që janë dhënë, duhet të jenë në arkën e Flamurtarit, ndërsa pranoi se kjo situatë është një ndër arsyet e krijimit të problematikave më të fundit të financave.

“Kemi çuar dosjen në bashki qysh në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Presim të na kthejnë përgjigje. Unë dua që të gjejnë mundësinë anëtarët e Këshillit Bashkiak, ashtu sikundër gjejnë mundësinë të financojnë klubet e tjera që shumë mirë bëjnë, të bëjnë diçka edhe për Flamurtarin. Të më kthejnë detyrimet që kam dhënë unë. Nuk kërkoj gjë tjetër, por më ktheni këto që janë të miat. Ligj jo, këtë jo…

Nuk pati njeri që t’i dilte zot firmës së tij, pati një palë që pretendoi dhe mori punën e saj të papaguar, tani e kam çuar çështjen aty ku duhet. Mua, ato lekë që kam dhënë, më duhen patjetër, sepse janë me pa të drejtë. Nëse këshilli thotë ‘jo’, atëherë se ku do të shkojë kjo punë, unë nuk e di. Por të jeni të sigurt që unë nuk kam çfarë të kthej mbrapa. Ju e dini se kam paguar 50 milionë për Gjokën, 28 mijë euro Bajevskit, e të tjerë.

Idrizi-750x430

Unë them se këto shpenzime nuk janë të miat, ndaj duhet të m’i kthejë dikush. Këto krijojnë probleme në vendimmarrjen e klubit ‘Flamurtari’. Nuk kam pse të kem këto pengesa unë në vonesat e pagesave. Më ktheni detyrimet që më keni. Janë lekë që duhet t’i kthehen klubit, jo Sinan Idrizit, janë lekët e klubit dhe duhet të jenë në arkën e tij. Kërkoj nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të mblidhen dhe të diskutojmë për këtë çështje, nuk ka më kohë për të humbur”, tha fillimisht administratori.

DETYRIMET – Edhe pse pagat po vonohen, administratori Sinan Idrizi thotë se njeh çdo detyrim që ka ndaj lojtarëve të tij, me të cilët ka firmosur kontrata. “Pavarësisht se unë kam probleme me financat, që kanë ardhur edhe nga këto parà që unë kam paguar kot, prapë them dhe e përsëris se kontratave që kam firmosur unë me lojtarët e mi u dal unë për zot. Kaq! Është fare e thjeshtë. Unë njoh çdo detyrim që kam ndaj lojtarëve të mi, por nuk kam pse të paguaj kot për njerëz që as i kam njohur fare”, u shpreh ai.

BATUTA – Sinan Idrizi ka komentuar edhe shkrimin e numrit të djeshëm në “Panorama Sport”, ku paraqitej një reportazh rreth seancës stërvitore të së dielës. “Më pëlqeu shumë shkrimi sot (dje) në gazetë. Lojtarë të lumtur, të qeshur që ngrohen në diell. Ishte unik, i veçantë. Do ta marr atë shkrim, do ta vendos në kornizë dhe do e mbaj në klub. Ishte super”, përfundoi Idrizi.

PRETENDIMET – 470 mijë euro ka paguar Sinan Idrizi për borxhe të mbartura nga koha kur klubi administrohej prej Bashkisë Vlorë. Administratori ka paguar hotelet ku janë akomoduar ishtrajnerët Hulian Robio dhe Shkëlqim Muça, si dhe ish-trajneri i moshave Ardian Nini, të cilit klubi i detyrohej 7 milionë lekë të vjetër. Me likuidimin e këtyre borxheve, u zhbllokuan edhe llogaritë e klubit.

Më herët administratori ka likuiduar ishtrajnerin Edmond Lutaj (72254 euro), Davor Bratiç (10292 euro), Petar Vukçeviç (9062 euro), ish-përgatitësin atletik Oskar Berti (14 mijë euro). Po ashtu, Idrizi u detyrua që të paguante shumën prej për 17 mijë e 500 eurosh për kroatin Toni Pezo. Nëse nuk do ta paguante, Flamurtari rrezikonte t’i hiqeshin tri pikë. Por, të tjera ultimatume i kanë ardhur klubit disa herë edhe për ish-lojtarë dhe ish-trajnerë të tjerë, të cilët janë shlyer. Mes tyre, Blazho Rajoviç ka marrë 18204 euro, Aleksandër Bajevski 47884 euro dhe Ernest Gjoka 45 mijë euro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: