Është mbyllur me rezultatin 1-1 sfida e luajtur në Vlorë mes Flamurtarit vendës dhe Kastriotit të Krujës, një ndeshje të cilën kuqezinjtë kanë kërkuar ta fitojnë, por në fund janë ndalur nga çekrezi, gardiani i krutanëve që u ka mohuar në disa raste avantazhin djemtë të Dajës. Flamurtari e nis sfidën më mirë dhe do të ketë disa mundësi të mira me Sukajn dhe Mustën, përpara se shkodrani të zhbllokojë sfidën në minutën e 33-të. Kotobelli do të zbresë deri në fundore dhe do të harkojë në shtyllën e parë, aty ku Sukaj kërcen mjaft mirë me kokë dhe shënon golin e tij të parë me fanellën kuqezi.

Në pjesën e dytë Kastrioti do ta nisë sfidën vrullshëm dhe pas një kërcënimi me Markun që kërcënon nga jashtëzonës Koliçin, do të tundë rrjetën në të 54-ën, kur Marku do të gjuajë saktë me kokë në zhvillimet e një goditjeje dënimi. Më pas, Flamurtari do të kërkojë të shënojë golin e fitores, por çekrezi do të ndalë tentativën e Kales dhe në goditjen e trefishtë të vonjatëve, duke mbrojtur pikën e Kastriotit, që kthehet në Krujë me një pikë shprese në luftën për mbijetesë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: