Flamurtari bën goditjen e bujshme në merkato. Skuadra vlonjate është padyshim ekipi që po dominon në merkaton e kësaj vere, duke sjellë në Vlorë futbollistë shumë cilësorë dhe me eksperiencë në kampionatin shqiptar. Surpriza e radhës e ka emrin…Lorenc Trashi. Vlonjatët arrijnë akordin dhe firmosin me ish- futbollistin e Kombëtares, që ka dalë kampion me Partizanin dhe Ballkanin në Kosovë.

Trashi është prezantuar mbrëmjen e djeshme nga klubi për tu vendosur nga sot nën urdhrat e trajnerit Agostineli. Trashi ka firmosur një kontratë dy vjeçare me klubin vlonjat dhe është ndër më të paguarit. Sinan Idrizi nuk po kursehet financiarisht as këtë sezon. Klubi i ka plotësuar çdo kërkesë futbollistëve që kanë firmosur, mes tyre edhe Trashit. Mësohet se mbrojtësi 32-vjeçar ka marrë një këst në dorë, si dhe pritet të përfitojë rreth 3 milion lekë në muaj. Me firmosjen e Trashit, duket se Flamurtarin po kthehet në një Partizan të vogël, pasi jo vetëm lojtarë, por edhe trajnerin Andrea Agostineli dhe drejtori Artim Pollozhani kanë të shkuar te “demat e kuq”.

Lorenc Trashi është një futbollist me eksperiencë të madhe dhe pritet që t’i bëjë shumë punë Flamurtarit për arritjen e objektivit madhor, rikthimin në Superiore. Mbrojtësi e mbylli sezonin e fundit me Ballkanin e Kosovës. Për disa javë ai shqyrtoi disa oferta të rëndësishme, por Flamurtari e ka bindur. Lorenc Trashi e ka nisur te Gramshi, për të vijuar te Lushnja. Në sezonin 2014-2015 iu bashku Partizanit, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit. Një aventurë provoi edhe në Kuvajt. Trashi ka luajtur edhe 14 ndeshje me Kombëtaren ku ka shënuar 1 gol.

Ish-presidenti Shpëtim Gjika zbulon se Lorenc Trashi ka qenë ëndrra e tij që kur luante te Gramshi. Ish presidenti e cilëson një super goditje. “Super goditje! Ky lojtar ka qenë ëndrra ime qysh kur e kam parë në Pogradec, kur luante me Gramshin. Më në fund te Flamurtari! Suksese Lorenc!”, shprehet Gjika.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: