VLORE- Flamurtari fiton por tifozët nuk festojnë, e çuditshme por e vërtetë. Ironia e tifozëve ishte aq e madhe sa dhe dëshira e skuadrës për të fituar sfidën. Në Vlorë sfida Flamurtari-Teuta dhuroi gjithçka, heronj si në rastin e portierit Osmani, tifozë të pa kënaqur, gafa të panumërta, por dhe raste flagrante për shënim. Fundi ishte një spektakël më vete nga të gjitha drejtimet, mbi të gjitha mënyra se si Flamurtari arriti të fitonte 2-1 këtë sfidë të parë të fazës së tretë.

Ashtu si fundi edhe fillimi i këtij takimi nisi me gol. Bruno Telushi me një goditje të fuqishme nga distanca çbilancon portierin Rizvani dhe mbrojtjen durrsake që gjenden të papërgatitur në vijimet e aksionit, ku një finte me fat e Arbër Abilaliaj i rikthehet në asis sulmuesit vlonjat për të shënuar golin e avantazhit.Teuta rikthehet në lojë në minutën e 24-ët falë një gafe të Iljon Likës.

Një kros i hedhur në zonë nuk kontrollohet saktë nga Lika, por nuk bën më mirë as Telushi që nuk devijon si duhet por gjen trupin e Tomiç. Një karambol në zonë që i jep mundësinë Mirel Çotës të shtyj topin në portën e boshatisur për të barazuar shifrat në 1-1. Në një terren të rënduar nga reshjet e shumta të shiut, vlonjatët u përpoqën ti jepnin zgjidhje sfidës më goditje nga distanca, por duke gjetur të përgatitur portierin Rizvani.

Përpara se të largohej nga fusha i dëmtuar në minutën e 44-ët kapiteni i durrsakëve i thotë jo edhe Vucajt. Flamurtari e nis pjesën e dytë me dëshirën për të kthyer sërish ndeshjen në avantazhin e tyre. Brënda dy minutash 57-59 kuqezitë krijuar dy raste të pastra për shënim. Fillimisht ishte Idrizaj ai i cili brenda zonës goditi fuqishëm por Osmani tregoi reflekse të pastra duke devijuar në goditje këndi. Edhe më flagrant ishte mundësia për Nikoliç vetëm një minutë më pas.

I transferuar me bujë në Vlorë, Nikoliç i pa shqetësuar nga 11 metra distance nuk godet si duhet dukë shpërdoruar një mundësi të artë. I hedhur në fushën e lojës si zëvendësues portieri Osmani kthehet në protagonist absolut në pjesën e dytë duke ndalur në më shumë se një herë ofensivën vlonjate, i tillë ishte dhe devijimi i goditjes me kokë nga ana e Shehaj. Për të kuptuar sa të pa fat ishin djemtë e Ramelës në këtë sfidë mjafton të shohim këtë moment , ku Tomiç vetëm disa metra pranë vijës fatale gjen trupin e portierit Osmani. Dëshpërimi i Tomiç sjell vetëm goditje këndi. Dëshira për të shënuar i shndërron vlonjatet në individualist ekstrem, aq sa e kanë të pamundur të shërbejnë, por edhe të shënojnë, si në rastin e Abilaliaj që i vetëm përballë portierit Osamin bën më të vështirën.

Makthi i tifozëve kuqezi dukej sikur nuk kishte fund, por edhe kure Shehaj i jep fund vuajtjeve, sërish janë të pakënaqur. Në stadiumin “Flamurtari” krijohet një rast thuajse unik, Shehaj shënon golin e fitores por askush nuk feston, përkundrazi brohorasin emrin e ekipit kundërshtarë. Të pakënaqur me skuadrën e tyre që nuk arriti të përfitonte më herët nga gabimet e pa numërta të durrsakëve, tifozët vërshëllyen skuadrën e cila më në fund u rikthye tek fitorja.

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb