Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në qytetin e Zyrihut. Media zvicerane “20 minuten” ka zbuluar detaje nga jeta e shqiptares 34-vjeçares me iniciale I.S., nga fshati Koretin i Kamenicës, që u mor peng e më pas u vra nga ish i dashuri i saj.

60-vjeçari me iniciale P.C., mori peng I.S dhe shoqen e saj të dhomës M.S (38-vjeçare) në banesën e tyre, më pas i vrau të dyjat dhe veten. Sipas një anëtari të familjes, shqiptarja I.S, ishte ndarë nga i dashuri i saj disa muaj më parë.

“Unë mendoj se ai e vrau për këtë arsye. E kam shumë të vështirë që të pranoj se e gjithë kjo ka ndodhur, dhe se ajo nuk jeton më”.

Prindërit e sëmurë rëndë të I. kishin zbuluar vetëm të premten në mbrëmje se një nga të vdekurit është vajza e tyre dhe sipas familjarëve që prej lajmit, prindërit gjithashtu janë në gjendje të keqe.

Familjarët dhe miqtë e kanë përshkruan shqiptaren e vrarë si person të mirë, të bukur dhe të qeshur.

“Ajo ishte një engjëll në tokë. Ajo gjithmonë ka dhënë gjithçka, ka qenë shumë e dobishme dhe luftoi për jetën e saj. I.S ishte një lloj “mami” për të gjithë. Ajo e kuptonte menjëherë kur dikush ishte i trishtuar, i zemëruar ose i zhgënjyer. Nga ajo mund të merrje këshilla të mira”, ka thënë një mike e saj.

Më pas, familjari ka treguar më tej se, shqiptarja ishte ftohur me familjarët për shkak se ishin kundër lidhjes së saj me të dashurin m% të madh në moshë, për shkak të moshës dhe nacionalitetit të tij.

“Shumë anëtarë të familjes ishin kundër marrëdhënies. Prindërit e tyre ishin veçanërisht kundër, sepse i dashuri i saj ishte i të njëjtës moshë me të atin. Ata mendonin se ajo meriton dikë më të mirë. Problemi i dytë ishte se ai nuk ishte shqiptar. Pas ndarjes, I.S pastaj jetoi me viktimën e dytë M. S. Që atëherë ajo ka pasur marrëdhënie të mirë me familjen, sidomos me prindërit e saj”, shtoi familjari.

Sipas tij, e reja shqiptare do të varroset në Kosovë javën e ardhshme pasi trupi i saj i pajetë ndodhet ende në morg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb