POGRADEC- Prindërit e Almir Dacit, njërit nga dy shqiptarët të cilët shfaqen në video-mesazhin e ISIS që kërcënojnë për sulme kundër të pafeve në Ballkan, dënojnë veprimin e djalit të tyre. Në një rrëfim për “News 24”, prindërit e personit me influencë në ISIS, Xhevahir dhe Nafije Daci, thonë se “nuk ndjejnë keqardhje për djalin e tyre”.

Ata tregojnë sesi djali i tyre u pati thënë se do të shkonte në Arabi, po jo në luftë, ndërsa shprehen se nuk e dinë sesi Almir Daci u bë pjesë e ekstremistëve.

Duke treguar se situata ekonomike e djalit të tyre ishte mjaft e vështirë, ata rrëfejnë se “Almirin e largoi nga puna Myftiu i Pogradecit pasi nuk kishe falur Bajramin në ditën e duhur”. E ndërsa i bëjnë apel shtetit që të kthejë djalin e tyre, Nafije e Xhevahir Daci thotë se “djalin tyre e kanë gënjyer që flet në atë mënyrë për shqiptarët”.

“Nuk e dimë që djali ka kërcënuar gazetarë. Djali ynë do të vrasë shqiptarë. Akuzat për vrasjen e Denis Hamzait janë të pabaza. Familja e tyre na mban mëri”, thonë prindërit e Almir Dacit. Daci u largua nga Pogradeci duke u thënë familjarëve se do të shkonte në Arabi, ndërsa në Siri ka marrë edhe bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij.

DËSHMIA E ALMIR DACIT NË “NJERËZ NË FOKUS”

Më 17 mars emisioni “Njerëz në Fokus” në News24 iu kushtua shqiptarëve që luftojnë për ISIS. “Njerëz në Fokus” solli një dëshmi ekskluzive të Almir Dacit, gjatë një bisede në rrjetin social Facebook, me të afërmit e një tjetër personi të përmendur për përfshirje në xhihadizëm, Ervis Alianjit. Në bisedë dëshmohet përfshirja e Dacit në aktivitetin e ISIS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: