Pas hedhjes së shortit, protagonistë të kombëtareve që do marrin pjesë në Botëror, kanë dhënë impresionet e para për mediat në lidhje me kundërshtarët në tyre. Të gjendur në pallatin e Kremlinit, të ftuarit janë shprehur si më poshtë:

lwv-gjermania-470x258

Joakim Lëv, trajneri i Gjermanisë: “Është një grup interesant. Do të japim më të mirën, që të mbrojmë titullin e fituar në Brazil.”

Vinsent Kompani, lojtar i Belgjikës: “Do të jetë një ndeshje e çuditshme ajo me Anglinë…”

Antuan Grizman, lojtar i Francës: “Pak rëndësi ka se kush është kundërshtari përballë, ne do jemi gati.”

Zherome Boateng, lojtar i Gjermanisë: “Grup shumë interesant. Kemi kundërshtarë nga kontinente të ndryshme, por jemi favoritë.”

Simon Kjaer, lojtar i Danimarkës: “Short emocionues për Kupën e Botës ndaj Francës, Australisë dhe Perusë. Po e pres me padurim me shpresë dhe ambicie.”

Julian Lopetegui, trajneri i Spanjës: “Grup i vështirë dhe i komplikuar. Do jetë një garë e luftuar pasi asnjë skuadër nuk është e lehtë në një Botëror.”

Hevre Rendar, trajneri i Marokut: “Jemi të lumtur që jemi pjesë e Kupës së Botës. Do të përballemi me motivim të madh në grup, që të mos pranojmë humbjen dhe t’i shkojmë deri në fund aventurës sonë. Të gjithë do donin të shmangnin Spanjën dhe Portugalinë, por ne themi faleminderit për shortin. Do përpiqemi të kualifikohemi.”

Didier Deshamp, trajneri i Francës: “Mund të kishim një short më të keq, por kemi shpresë se do arrijmë kualifikimin. I njohim kundërshtarët. Do të shkojmë në Rusi me shumë ambicie.”

Roberto Martinez, trajneri i Belgjikës: “Kam kaluar shumë vite në futbollin britanik, do të jetë një përballje speciale për mua. Grupi me Anglinë, Panamanë dhe Tunizinë është shumë i vështirë.”

Horge Sampaoli, trajneri i Argjentinës: “Kroacia ka futbollistë të mëdhenj. Islanda luan me shumë entuziazëm dhe lufton deri në fund. Ne jemi një nga ekipet më të mira në botë, por do të kemi kohë që të korrigjojmë problemet që kemi shfaqur.”

Zlatko Daliç, trajneri i Kroacisë: “Mund të kishim një short më të favorshëm, por gjithashtu edhe më keq. Mendoj se do ta kalojmë grupin, edhe pse do të jetë e vështirë. Doja të shmangia një ekip të fortë, por tashmë jemi ndaj Argjentinës, dhe ata janë favoritë.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb