Nga: DARINA TANUSHI*

BRUKSEL- Raportuesi i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein e sheh me shqetësim frymën e lartë të konfliktualitetit në politikën shqiptare. Ndërsa prezantoi raportin për Shqipërinë, Fleckenstein megjithatë, ftoi kolegët të mbështesin procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë. “Do doja të diskutoja për amendamentet, do diskutohen dhe në takimin e stabilizim-asocimit me Shqipërinë, janë përmbledhur nga 192 amendamente në 16 amendamente kompromisi.

Sigurisht që, korrupsioni dhe administrata publike, lufta ndaj krimit të organizuar mbeten pikat kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë. Sigurisht, liritë dhe të drejtat e njeriut. Është me rëndësi implementimi i reformave në mënyrë që të hapen negociatat”, – tha Fleckenstein. “Nuk kam dashur të mbetem tek amendamentet që janë të çuditshme. Edhe para zgjedhjeve, dialogu apo presioni politik vijojnë të mbeten prezentë. Vijon ende të ketë një klimë presioni mes partisë në pushtet dhe asaj në opozitë. Suksesi i reformave në terma afatgjatë do të shihet se kur do të qetësohen marrëdhëniet mes partive dhe kur të kemi një sheshim mes marrëdhënieve burrë dhe grua”, – është kjo, situata e paraqitur nga eurodeputeti. Ai shtoi, duke iu drejtuar kolegëve, se “duhet t’u japim kurajë atyre që vijojnë të përpiqen. Ndaj, mendoj se duhet ta mbështesim Shqipërinë në procesin e negociatave për t’u anëtarësuar, për t’u bërë pjesë e BE-së”.

Fleckenstein u shpreh dje për “TCH”, edhe për arrestimin e deputetit Mark Frroku. I pyetur nëse në raportin për Shqipërinë do të përfshihen edhe zhvillimet e fundit, me deputetët Doshi e Frroku, ai tha: “I lexoj agjencitë e lajmeve, por unë nuk mund të vlerësoj nga këtu dhe për këtë më duhet të flas me disa partnerë në Shqipëri, sesi e shohin ata atje. Së bashku me kolegun e PPE-së, Kukan kemi vendosur ta diskutojmë këtë situatë me Komisionerin Hahn dhe deri atëherë nuk jam në gjendje për të thënë se kush ka ose jo të drejtë. Unë mund t’ju them vetëm se, ajo çfarë po shohim për momentin, nuk është një tablo e këndshme dhe shpresoj me të vërtetë se, pas hetimeve të qarta, sa më të shpejta sigurisht, por edhe intensive, ne do të kemi një tablo më të qartë”, – tha Fleckenstein.

DISKUTIMET
Seanca e djeshme ka kaluar mes diskutimesh nga eurodeputetë të ndryshëm. Kështu, një prej tyre, Jakoviciç tha: “Opozita me qëndrimin e saj duket sikur Shqipëria nuk do progresin evropian. U përpoq të bllokonte negociatat. Na duhet të tregojmë se nuk biem dakord me sjelljet e disa prej kolegëve tanë. Duhet të bëjmë gjithçka të mundur që Ballkani të integrohet. Nuk është e pazakontë që palët të kenë qëndrime të ndryshme”. Ndërsa eurodeputeti Maragos u shpreh se ka një rrezik sa i përket konfrontimit politik. “Edhe unë e Eduard Kukan kemi ndërmjetësuar me partitë. Ne e dimë që lufta kundër krimit të organizuar duhet të forcohet, por ajo që kemi parë nuk ishte një njoftim nga qeveria, por masa specifike. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin në rajon, mund të ketë pasur dhe komente jo shumë të drejta në këtë aspekt. Do t’u bëja thirrje shqiptarëve që, kjo nuk ndihmon. Ata duhet të bashkojnë njerëzit dhe të kemi një dialog konstruktiv. Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ndaj ka nevojë për mbështetjen tonë”, – tha Maragos.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: