Më 9 janar të këtij viti shqiptarët e të gjitha trojeve etnike lexuan një lajm bombastik. Mark Zuckeberg, themeluesi i Facebook-ut sipas lajmit kishte një lidhje emocionale me shqiptarët. Gjyshja e tij ishte shëruar si me magji nga shqiptari Hajdar K Shtimja. Dhe se tani Zuckeberg po komunikonte me Hajdar Shtimen e ri, pasardhësin e Hajdarit të asaj kohe.

Dhe se për këta po çmendeshin Serbi e Rusi. E gjithë kjo nuk po paraqitej si ndonjë humor apo satirë, por po i sevirej opinionit si diçka reale. Nga shumë media në të cilat lexohen lajme nga jeta e përditshme reale. Në fakt dikush kishte shkruar një këso ngjarje por që aspak nuk përkonte me ndonjë realitet e të cilën ai as që e kishte prezentuar si diçka reale. Ishte njeriu me emër e mbiemër i cili kishte bërë një satirë e të cilën mediat po e shisnin si një realitet. Por ato medie nuk i referoheshin autorit e as nuk e kishin konsultuar atë. Me apo pa qëllim nuk e kishin konsultuar të paktën as Google apo ndonjë motor tjetër të kërkimit për të verifikuar vërtetësinë e “lajmit”.

E vërteta është se krejt kjo ishte një “trill” i shqiptarit nga Kosova Ilaz Hysaj i cili jeton në Francë tash e gati tri dekada.

“Qëllimi i satirës sime ishte të thumboja shqiptarët të cilët besojnë në gënjeshtrën, në mrekullinë dhe që ëndërrojnë dhe duan të besojnë se çdo njeri i madh është shqiptar ose me prejardhje shqiptare. Unë në satirën time kisha dhënë mjaft elemente se bëhet fjalë për një trill. I kisha ndërruar ndonjë shkronjë të mediave, pastaj në këtë tekst thuhej se protagonistët kishin lëvizur me makinë në vitin 1853 ndërkohë që ajo është zbuluar 50 vjet më vonë. Por të gjitha këto i ‘hëngrën’ rreth 30 media shqiptare duke fituar mbi 150 mijë pëlqime e klikime të panumërta”, ka thënë ai.

Hysaj ka tërhequr vërejtjen se ky “ishte si një test se çdo gjë mund të përgatitet nga mediat tona të cilat nuk kanë kod të profesionit dhe nuk e shikojnë nga vjen informacioni, nuk e verifikojnë vërtetësinë por bëjnë gara se kush po merr klikime më shumë duke përhapur një lajm të paverifikuar.”

Ai ka treguar se kur ka parë vrapin pas “lajmit” të tij e ka vazhduar trillin duke shikuar se deri ku mund të arrij “çmendia” e mediave. “Dy shkrimet e para i bëra vetëm për miqtë e mi, por ato i morën mediat pa më pyetur as konsultuar, madje pa përmendur fare autorësinë time, pastaj vazhdova”, ka shpjeguar ai. Edhe në Francë ai ka theksuar se mund të publikohen tekste të tilla por vetëm në media satirike “ku mund të tallesh edhe me zotin”.

“Gazetari apo mediumi nuk guxon t’i marrë satirat dhe t’i publikoj si lajme të vërteta, kjo është një çmenduri mediatike që ndodhë vetëm te shqiptarët, shihej edhe nga qielli se është satirë, ironi, por tragjedia ishte se si nuk e kishin kuptuar gazetarët. Mediat e kanë marrë tekstin nga profili im pa më pyetur fare e as pa e treguar autorësinë shumica nga ato dhe në një rast të tillë në Francën ku jetoj unë do t’i priste gjyqi të cilën do ta humbisnin pa asnjë dyshim”, ka theksuar Hysaj për portalin ONLINE duke veçuar se satirën e kultivon më shumë në raste kur kemi të bëjmë me ndonjë kontekst shoqëror a politik.

“Mediat duhet të marrin përgjegjësinë e asaj çka publikojnë, ta verifikojnë burimin e informatës dhe ta dallojnë a është lajm apo ndojnjë shkrim artistik apo satirë ku artisti ka të drejtë të imagjinojë, e kjo nëse merret si lajm i vërtetë mund të shkaktoj konfuzion dhe dezinformata siç ka ndodhë me satirat e mia”, ka vënë në pah Hysaj. “Kodi deantologjik i gazetarit është ta merr lejen e autorit para se të publikoj diçka, qoftë edhe nga profili i dikujt në Facebook”, ka përmbyllur Hysaj për portalin ONLINE.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: