TIRANË- Dashurie Sefa, bashkëshortja Genc Sefës, shtetasit shqiptar të arrestuar në Kumanovë nën dyshimet se ka marrë pjesë në luftimet që u zhvilluan atje dy ditë më parë, ka kërkuar nga autoritetet shqiptare të mos e braktisin atë. Në një prononcim për Express, Dashurie Sefa ka kërkuar që dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë të interesohen për fatin e bashkëshortit të saj Gencit, ndërsa është shprehur e sigurt se bashkëshorti i saj është plotësisht I pastër.

I akuzuari nga policia maqedonase, Genc Stefa është nga Lushnja, por jeton në Ferizaj.

“Duke besuar plotësisht në qëllimin e mirë dhe besnik ndaj kombit shqiptar të burrit tim dhe shokëve të tij, unë kërkoj me ngulm që qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të mos i braktis, të interesohet për fatin e tyre, pasi që ne familjarët e tyre nuk kemi asnjë qasje dhe asnjë lloj informacioni se si janë? Si po trajtohen? Dhe shteti Maqedon a është duke ju përmbajtur rregullave dhe konventave ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve të luftës! Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë e ka obligim kushtetues të kujdeset për qytetarët e vet në çfarëdo lloj situate dhe të na informojë ne familjarët e të na ndihmojë pasi që ne jemi në terr informativ lodhur me këtë situatë që ka ndodhur atje”, ka thënë bashkëshortja e Genc Sefës.

Sipas saj, “Këta djem kanë dhënë shumë edhe për Kosovën kur ka pas nevojë, kanë lënë familjet dhe i janë përgjigjur thirrjes për mobilizim kombëtar duke dhënë edhe pjesë të trupit për këtë vend”. “Këta njerëz nuk janë të pasur e as kriminelë, këta njerëz janë thjesht atdhetarë që kanë dashur të ndihmojnë popullin shqiptar atje të persekutuar dhe bashkluftëtarët e tyre të 2001-shit që ende kalben burgjeve të Maqedonisë. Unë besoj dhe garantoj me jetën time që Genci dhe shokët e tij nuk kanë shkuar atje për asnjë lloji interesi dhe prapavije politike të skenarëve të felliqura maqedonase!”, e përfundon deklaratën Dashurie Sefa.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: