Nga: Ermelinda Hoxhaj
Maturantja Serena Resuli, e pranishme në takimin që maturantët zhvilluan me ministres e Arsimit, Lindita Nikolla pas letrës që ata i dërguan në lidhje me kërkesat e tyre, tregon disa detaje të takimit. Sipas maturantes në gjimnazin “Petro Nini”, ministrja Nikolla u ka premtuar se udhëzimet e MAS për zhvillimin e provimeve të maturës do të dalin brenda muajit dhjetor. Ndërkohë që në lidhje me kriteret e pranimit nëpër universitete do të mundësohet që nëse nuk shpallen nga institucionet e arsimit të lartë brenda dhjetorit, të mund të bëhen publike brenda datës 15 janar. Por, faktikisht po i afrohemi fundit të dhjetorit dhe ende MAS nuk ka publikuar asnjë udhëzim apo rregullore për maturën shtetërore 2017. Ndërsa, sa u përket kritereve, i vetmi fakultet që i ka shpallur në kohë rekord është ai i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Sipas maturantes Resuli, ata i shkruan një letër ministres së Arsimit për të paraprirë kaosin me shpalljen e fituesve dhe regjistrimet në universitet, siç ndodhi me maturantët e një viti më parë. Po ashtu, një tjetër kërkesë e tyre specifike në letër është që grupi i lëndëve preferenciale të universiteteve të bazohet në kurrikulën bazë të ofruar në arsimin e mesëm të lartë. Pasi këtë vit, ky ishte një ndër kriteret që penalizoi maturantët në pranimet në universitet. Por edhe për këtë çështje, ministrja Nikolla u ka dhënë përgjigje pozitive.

Serena, ju jeni një ndër maturantët që i shkruat një letër ministres së Arsimit në fund të muajit tetor. Cila ishte arsyeja kryesore që shkruat këtë letër?
Arsyeja kryesore pse ne e nisëm këtë letër ishte pasi nuk donim që të rrezikonim dhe të mbeteshim në po të njëjtin pozicion si maturantët e vitit të kaluar. Donim të informoheshim dhe të ndihmonim jo vetëm veten, por edhe të gjithë maturantët e tjerë, duke menduar që mundi ynë duhet të vlerësohet.

Ju ishit edhe në takimin që u bë rreth 10 ditë më parë me një grup maturantësh dhe ministren Nikolla, arritët në ndonjë konkluzion, a do merren parasysh kërkesat tuaja?
Ministrja i dha një përgjigje çdo kërkese tonë duke e analizuar. Ajo na siguroi që ministria ishte duke punuar dhe do mundohej t’i nxirrte kriteret dhe udhëzimet sa më parë, si dhe do shqyrtonte me kujdes mundësinë e plotësimit të kërkesave të tjera si për shembull, ofrimi i lëndëve me zgjedhje në çdo shkollë. Megjithëse nuk ka dalë një vendim zyrtar, znj.ministre na tha që do përpiqej që kriteret të bëheshin publike në dhjetor, e nëse kjo nuk do të ishte e mundur, afati i fundit do të ishte 15 janari. Për sa u përket udhëzimeve, na siguroi që do të dilnin në dhjetor. Gjithashtu, na tha që nuk do të zhvilloheshin vetëm me panaire, por në çdo shkollë do të kishte javë këshillimi, ku përfaqësues të universiteteve do jenë të detyruar të kryejnë detyrën e tyre.

Mendoni se ju penalizon mosshpallja e udhëzimeve dhe kriteret e pranimit të universiteteve brenda muajit dhjetor?
Besoj se do na penalizojë deri diku, njëlloj siç pati penalizime edhe vjet, pasi ka të bëjë edhe me nxënësit që dëshirojnë të studiojnë jashtë dhe ata i mbyllin aplikimet që në dhjetor ose fund janari. Nëse dikush nuk do gjente dot veten në ndonjë nga shkollat e vendit (mungesë në plotësimin e kritereve në degët që dëshiron) duhej t’i ofrohej koha e duhur për të aplikuar jashtë.

Cilat janë arritjet e tua në gjimnaz? Cila është dega e studimit ku dëshironi të ndiqni studimet e larta?
Unë personalisht jam një nxënëse me mesatare 10.14, edhe dhe pse kam arritje kaq të larta në mësime, nuk e kam vendosur ende se cilën degë dua të ndjek, shkencë kompjuterike, bioteknologji, apo ndonjë degë më sociale. Është tepër e rëndësishme për mua të qartësohem sa më parë për të ardhmen time.

(Shkrimin të plotë e gjeni në Gazeta Shqiptare print)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: