NGA: VALENTINA MADANI
Askush nuk mundi ta “shkatërrojë” dashurinë për vëllain e vogël. Një lidhje e fortë që nuk u këput asnjëherë… Përmes fotos që e mban përditë në portofolin e saj, e motra, Nurie Hajdari e mban të gjallë Azemin prej 18 vitesh. Në një rrëfim të rrallë për “Gazeta Shqiptare”, Nuria tregon për gjysmën tjetër të saj, vëllain që e deshi aq shumë edhe atëherë kur ajo krijoi familje e lindi fëmijë, por dashuria për Azemin vazhdon të jetë e pafund. Ajo rrëfen për Azemin e vogël, banesën ku lindi në Bajram Curri, dhuratat që merrte prej tij, pasionet në rini dhe si i shpëtoi internimit për shkak të dashurisë në moshë fare të re. Nurie Hajdari nuk e donte vëllain politikan, sepse ajo beson se ishte më i sinqertë seç duhej. Për vdekjen e Azemit nuk e lajmëroi askush dhe shtëpinë ku lindi thotë se shumë shpejt do ta bëjnë një muze. Gjithçka që kujton me të, punonjësja e Postës Shqiptare, Nurie Hajdari do ta hedhë në një libër.

Zj. Nurie, shoh që në portofolin tuaj mbani foton e Azemit. Kaq shumë e keni dashur vëllain tuaj?
Vëllain tim e shoh përditë, flas me të përmes fotografisë. Nuk e ndaj asnjëherë nga vetja, sepse vetëm në këtë mënyrë e largoj nga mendja se ai nuk jeton prej 18 vitesh. I shkoj shpesh te varri. Murin e shtëpisë e kam të mbushur me fotografitë e Azemit dhe, siç e shihni edhe ju, e mbaj edhe me vete në portofol.

Në fotografi dukeni shumë të vegjël. Çfarë fëmije ishte Azemi?
Unë kam pasur gjithmonë një lidhje shumë të fortë me Azemin. Ai ishte vëllai im i vogël dhe unë isha 8 vjet më e madhe se ai. E kam parë edhe momentin kur ka lindur në shtëpinë që kishim në Bajram Curri. Ishte ora 12:20 e drekës e datës 11 mars 1963. Nënën e kapën dhimbjet dhe unë pashë vjedhurazi pas nga cepi të shtëpisë kur po lindte im vëlla. Pas dy orësh nëna nuk u ndje mirë me shëndet dhe e çuan në spital. Azemi lindi i shëndetshëm dhe ne u gëzuam shumë. Babi im ishte në punë dhe kur erdhi në darkë në shtëpi, vëllai i madh Saliu i doli përpara dhe i tha: “Baba, jam bërë me një vëlla”. Babai u gëzua shumë dhe i tha: “E dija që do të lindte djalë…”.

Dhe si ishte ky djalë gjatë fëmijërisë së tij?
Një fëmijë shumë i bukur, i shkathët, shumë i qeshur, tepër këmbëngulës dhe përherë i rrethuar me shokë dhe miq. Unë isha gjithmonë pranë Azemit, e donim shumë njëri-tjetrin. I tregonim çdo gjë njëri-tjetrit. Unë isha gjithçka për të, si motër, si nënë, si shoqe. Nëna ime ishte e sëmurë dhe unë duhej të merresha me Azemin, ta ndihmoja të rritej, të shkollohej. Lexonim bashkë, luanin bashkë, bënim punët bashkë. Madje më kujtohet njëherë kur dolëm me babain që të mblidhnin dru për t’u ngrohur në shtëpi, pasi kishim shtëpi private dhe ngroheshim me zjarr. Baba ishte ngarkuar dhe mezi po i çonte drutë dhe i tha Azemit: “Më ndihmo që të ngrihem, se kam rënë dhe nuk po i ngre dot…”. Azemi iu përgjigj: “Jo, s’të ndihmoj. Provoje dhe hiqi disa dru anash dhe do ta shikosh se do të ngrihesh vetë…”. Dhe babai ashtu bëri. Azemi ishte shumë këmbëngulës dhe donte t’ia dilte në gjithçka. Kur ktheheshim në shtëpi, uleshim dhe bënim detyrat, dhe pas mësimeve babai na lexonte libra në shtëpi. Mbaj mend që na lexonte “Tregimet e moçme shqiptare”, të cilat Azemi i mësoi përmendësh. Ka qenë fëmijë shumë i zgjuar dhe tepër i shkathët.

Ndonjë kujtim tjetër që ju ka mbetur në mendje?
Azemi ka pasur një lidhje shpirtërore me Dervishin e Luzhës, një njeri i mirë dhe i përmendur jo vetëm në Malësinë e Gjakovës. Ne i kishim dajat në Luzhë dhe Azemi shkonte shpesh atje nga qyteti në fshat me një motor. Ishte miqësuar me Dervishin dhe ai e donte shumë. Njëherë po shkonim me nënën e babain dhe takuam Dervishin. U përshëndetëm me të dhe Azemi i vogël i nxori babait nga xhepi paketën e cigareve dhe ia zgjati Dervishit. Babai i foli Azemit që pse e mori pa pyetur dhe i tha Dervishit që “e kam djalin shumë të prapë”. Dervishi i tha babait: “Mos e nguc djalin, se kur të rritet, të gjithë do i thërrasin ‘zotëri’…” U habitëm kur dëgjuam fjalët e Dervishit dhe Azemi edhe më vonë kur u rrit shkonte vazhdimisht dhe e takonte Dervishin. Kishte krijuar me të një lidhje shumë të fortë shpirtërore. Më vonë Azemi ia ndërtoi tyrben Dervishit, dhe aty shkojnë shumë njerëz dhe kërkojnë ndihmën e njeriut të mirë që la gjurmë te shqiptarët e Malësisë së Gjakovës e më tutje. Azemi e thërriste: dajë Dervishi, dhe e donte shumë.

Në njërën nga fotografitë shoh që Azemi i vogël mban edhe një pushkë në krahë. E kujt ishte arma dhe pse në krahët e tij?
Është pushka e babait. E kishte me leje, pasi babai punonte polic. Kur po bënim foto së bashku, Azemi e mori pushkën dhe doli me të, por arma ishte shumë më e madhe se gjatësia e tij. Azemi kishte kuriozitet për gjithçka dhe guxonte shumë, si në këtë rast kur në krahët e tij të imët vuri pushkën. Babi nuk ia prishi qejfin dhe ia la, por vetëm sa u bë kjo foto. Mbaj mend një rast tjetër kur Azemi ishte i vogël dhe në rrugë kishte gjetur një gomë të vogël fshirëse. E solli në shtëpi dhe babai e pyeti “ku e ke marrë?” Ai tha “e gjeta në rrugë”. Babai i foli, i tha “përse e ke marrë gjënë e tjetrit, pasi nuk është e jotja?” Ai iu përgjigj: “Nuk ia mora askujt, e gjeta në rrugë dhe e mora”. Im atë i bërtiti dhe i tha “hajde të shkojmë dhe ta çojmë aty ku e more”. Dhe ashtu ndodhi, por me ta shkova edhe unë. Azemi e la gomën aty në rrugë ku e kishte marrë dhe babai i bërtiti që “mos e përsërit më të marrësh gjërat e të tjerave”. Por mua më mbeti mendja te goma që donte Azemi dhe fshehtas babait u ktheva dhe e mora.

Si jua “shpërblente” dashurinë që tregonit për të dhe çfarë i dhuronte kryesisht vëllai motrës?
Azemi kur u rrit ndërtoi shtëpinë tonë. Ikëm nga shtëpia e vjetër dhe hymë në shtëpinë e re, po në qytetin e Bajram Currit. Azemi e bëri për qejf. I vuri drita nga të gjitha anët dhe mbolli edhe shumë trëndafila. Kur çelnin trëndafilat, ai merrte një gonxhe dhe vinte e ma sillte duke më thënë: “Merre motër, se trëndafilat duan të rrinë bashkë…” Ishte shumë i dashur. Për ditëlindje më ka dhuruar unazë, është shumë e bukur; më pas një zinxhir për qafë. Ndjej keqardhje që më ka humbur medaljoni i tij. E kisha diçka të shenjtë. Çdo dhuratë të tijën e kam ruajtur dhe do t’i ruaj si sytë e ballit, sepse më kujtojnë Azemin kur ishte gjallë. Trëndafilat që dikur m’i dhuronte mua, unë shkoj dhe ia çoj te varri, të cilin e ka të mbushur plot me lule të freskëta.

Si jua prezantoi gruan e jetës së tij, Fatmirën?
Ata ishin fare të vegjël kur u dashuruan. Ishin nxënës në shkollën e mesme në Tiranë. Sapo janë njohur, më tregoi Azemi. Më mori te konvikti i Fatmirës që të më njihte me të. Sapo ajo doli, më tha: “Motër e dashur, kjo është gruaja e jetës sime”.
Fatmirës që të më njihte me të. Sapo ajo doli, më tha: “Motër e dashur, kjo është gruaja e jetës sime”.
Si e priti familja lidhjen e tyre?
Azemi e ka rrëmbyer Fatmirën dhe atë e solli në Bajram Curri me djalin e xhaxhait tonë, ndërkohë që vetë erdhi më vonë nga Tirana në shtëpi. Familja dyshoi fillimisht se mos Azemi e ka marrë pa dëshirën e saj dhe u trembëm disi, por kur folëm me Fatmirën, gjithçka ishte në rregull. Në qytet u hap fjalë se Azemi ka rrëmbyer një vajzë të mitur, dhe kjo ishte e ndaluar në atë kohë. Babain e thirrën në Degën e Brendshme për të sqaruar situatën dhe ne u detyruam të thërrisnim edhe të atin e Fatmirës nga Librazhdi për të pohuar se vajza ka dashur vetë që të martohej me Azemin, pavarësisht se as familja e saj nuk kishte dijeni për ikjen nga shkolla. Në Degën e Brendshme babit i thanë se, “nëse Azemi e ka rrëmbyer vajzën, do ta çojmë në internim, pasi ka konsumuar një krim”. Ndaj na u deshëm që të mblidheshim të gjithë kur erdhi Azemi dhe i ati i Fatmirës dhe t’u thoshim në komisariat se ata duhen dhe janë bashkuar me pëlqimin e tyre. Fatmirën e pyetëm edhe në shtëpi nëse ishte dëshira e saj dhe ajo u përgjigj: “Unë kam ardhur që të jetoj dhe të vdes me Azemin…”. Kaq mjaftoi dhe gjërat u sqaruan. Ne ua bëmë fejesën dhe martesën bashkë, dhe ata e donin shumë njëri-tjetrin dhe ishin çift shumë i bukur.
Më pas Azemi u mor me politikë. Si e priti familja një vendim të tillë të Azemit?
Ka qenë një frikë e madhe për gjithë familjen, pasi Azemi ishte vënë në krye të protestave të studentëve. Nisëm dhe kërcënimet ndaj familjes, por Azemi ishte i vendosur për të ecur përpara. Megjithatë, ajo që mund të them unë dhe e kam pasur dhe e kam bindje timen, është se Azemi nuk ishte për politikë. Ai ishte shumë i sinqertë. Ishte shumë atdhetar dhe i donte njerëzit. I donte shqiptarët të bashkuar në trojet e tyre.
Si e morët vesh lajmin e vrasjes së tij?
Unë nuk kam marrë asnjë lajm për vrasjen e tij. Një ditë para se të vritej, jam ulur me Azemin në një lokal këtu ku jemi ulur sot, afër Pallatit të Kulturës. Folëm dhe qeshëm si zakonisht dhe u ndamë krejt normalisht. Në darkë unë shkova në Pezë te njerëzit e mi dhe natën u fikën dritat. Nuk kishim mundësi të dëgjonim as televizor dhe atë natë kemi qeshur shumë. Binte shumë shi dhe ishte një mot shumë i keq. Të nesërmen në 8:15 vjen djali i xhaxhait në Pezë dhe më thotë “hajde se do ikim me makinë”. E pyeta “çfarë ka ndodhur” dhe ai më tha që djali im Dardani dhe nipi kishin pësuar aksident. Nuk dita se ku isha, sepse u tmerrova dhe nuk e dija gjendjen e tyre. Mendova se po iknim në spital dhe makina u drejtua drejt banesës së Azemit. I thashë kushëririt se pse nuk po ikim në spital, apo kanë vdekur të dy? Dhe ai tha “hajde, ka ndodhur gjëma”. U afruam tek oborri dhe dëgjoja kujën e të qarave, dhe vetëm aty ai më tregoi se ishte vrarë Azemi dhe ai ishte në morg. Kam humbur ndjenjat dhe nuk mund ta tregoj dhimbjen e shpirtit.
Azemi ishte plagosur disa herë edhe më parë…
Po, atentati që iu bë në Bajram Curri me 3 qershor të 1998-ës iu bë pikërisht në vendin ku kemi pasur shtëpinë e vjetër, aty ku ka lindur Azemi. Para tij neve na vdiq babai dhe unë vazhdoja të mbaja rrobat e zeza. Mbaj mend që kur u plagos herën e parë, Azemi më tha: “Motër, nuk vdiqa që ti të mos i mbash më rrobat e zeza”. Që kur ai vdiq, unë i vij te varri. E dua këtë vend, sepse këtu kam tim vëlla, njeriun tim të dashur, dhe do të vij sa kohë të kem jetë.
Në çfarë gjendjeje është shtëpia ku lindi Azemi në qytetin e Bajram Currit dhe çfarë keni ndërmend të bëni me të? A është menduar që ajo të bëhet muze?
Në shtëpinë tonë në Bajram Curri banon vajza e xhaxhait tonë. Nuk e kemi dhënë asnjëherë me qira. Ajo banon aty dhe e mirëmban, kujdeset për të. Kemi menduar që ta bëjmë muze, pasi Azemin e kanë dashur shumë njerëzit, ashtu si ai i donte. Shumë miq dhe dashamirës të tij dhe familjes na kanë pyetur “çfarë do të bëni me shtëpinë”, na kanë sugjeruar edhe që ta bëjmë shtëpi-muze, dhe do ta bëjmë, pasi aty është historia e Azemit që kur lindi. Unë do të bëj një libër, në të cilin do të hedh të gjitha kujtimet që kanë të bëjnë me Azemin. Do të ketë edhe shumë fotografi të pabotuara të tij.
Kur bëhet fjalë?
Kam nisur të punoj për librin dhe besoj se nuk do ta vonoj botimin e tij.
A ishit dakord me zhvendosjen e vendit të memorialit të Azemit pak kohë më parë pranë ish-selisë së vjetër të PD-së?
Po, unë personalisht kam qenë dakord. Pavarësisht se para disa vitesh u rregullua memoriali, sërish kishte nevojë. Ka dalë bukur, por jo i përsosur. Aty është vrarë Azemi dhe ai memorial sërish ka nevojë për rregull, por gjithsesi unë jam e kënaqur që u bë ajo zhvendosje. Është zhvendosur shumë pak nga vendi ku ishte, por është bërë më mirë. Azemi meritonte diçka të përsosur, dhe shpresoj se do të rregullohet edhe më mirë.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: