Elvis Kabashi rikthehet të flasë për Kombëtaren shqiptare dhe refuzimit që i bëri fanelës kuqezi pak vite më parë, kur nëpërmjet një letre drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, kërkoni që të mos grumbullohej më nga ekipi U-19, pasi në atë periudhë shpresonte të lunate për Italinë.

Ish-mesfushori i Juventusit, ka folur për “Digisport.ro”, ku ka theksuar se ka dëshirë të rikthehet të luajë me Shqipërinë dhe se ajo letër e shkruar 6 vite më parë, ishte një sajesë e ish-menaxherit të tij, i cili kërkonte nga Kabashi, asokohe adoleshent, të fokusohej vetëm te klubi i tij.

““Ka pasur disa keqkuptime sa i përket grumbullimit tim me kombëtaren. Është folur për një letër që unë kam shkruar, por kjo gjë nuk është e vërtet, sepse ajo letër është shkruar nga ish-menaxheri im, me të cilin jemi ende në gjyqe. Ajo letër më pozicionoi kundër kombëtares, sepse nëse unë nuk do doja të luaja me Shqipërinë, nuk do ta kisha bërë as me 19-vjeçaret në eliminatoret e Europianit” është shprehur Kabashi.

Më pas ai ka shtuar dozat e atdhedashurisë: “Prindërit e mi janë shqiptarë dhe unë kam lindur në Itali, por unë kam gjak shqiptar, ndaj nuk ka arsye pse ta refuzoj Kombëtaren. Rrëmuja është shkaktuar nga ish-menaxheri që donte të përqëndrohesha vetëm te Juventusi. Njerëzit kanë të drejtë të më gjykojnë, pasi nuk e dinin të vërtetën. Unë nuk kam folur për këtë letër, sepse nuk kam shkruar asgjë dhe në ndërgjegjen time jam i qetë”.

“Nuk kam dashur t’i hedhë benzinë zjarrit. Tani është në dorën time të tregoj se sa e rëndësishme është kombëtarja për mua. Shpresoj të grumbullohem, pasi është krenari të mbrosh ngjyrat e vendit tënd. Do të stërvitem dhe do punoj fort për t’u rikthyer në Kombëtare”, ka përfunduar Kabashi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb