Pak ditë nga incidenti i shënuar në restorantin “Panorma”, në Porto Palermo, ku një grup turistësh spanjollë përjetuan një eksperiencë të hidhur, dëshmia që vjen nga një tjetër turist spanjoll mik i tyre, jep një panoramë më të plotë të ndodhisë, që mori përmasa të mëdha.

Ai rrëfen se turistët spanjollë pritën gjatë për porosinë dhe se ata nuk e konsumuan ushqimin, duke u larguar prej andej të pakënaqur. Por teksa dënon dhunën, ai thotë se incidenti nuk portretizon aspak shqiptarët dhe Shqipërinë.

“Unë jam gjithashtu nga Spanja, kam vizituar shumë qytete të Shqipërisë. Kam qenë atë ditë në restorant kur miqtë e mi ishin aty. Ata pritën gjatë edhe nuk e konsumuan ushqimin. Mendoj vetëm që ishin në vendin e gabuar dhe nuk patën fat. Njerëz të këqij ka gjithandej, por njerëzit nuk duhet të kenë frikë të vizitojnë Shqipërinë.”

Turisti spanjoll flet edhe për eksperiencat që ka pasur gjatë vizitës në vende të ndryshme të Shqipërisë, teksa deklaron se do tua rekomandojë edhe turistëve të tjerë të vizitojnë vendin tonë.
“Kam qenë në Tepelenë dhe Gjirokastër, më ka pëlqyer shumë shërbimi dhe njerëzit janë të mrekullueshëm. Sigurisht që do ta vizitoj sërish Shqipërinë, pasi dua të zbuloj bukurinë e gjithçkaje këtu. Do e rekomandoj Shqipërinë kur të kthehem në vendin tim”.

Sakaq, restoranti “Panorma” i Mihal Kokëdhimës vijon të jetë i bllokuar dhe i rrethuar nga forcat policore, ndërsa për pronarin gjykata ka vendosur “burg pa afat”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb