KOSOVE- Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të thirret javën e ardhshme. Nga ana e kryesueses së kësaj seance dhe nga ana e administratës çdo gjë është gati, por duhet të përfundojnë punën grupet e PDK-së dhe LDK-së. Kështu ka thënë Flora Brovina, e cila tha se beson se seanca do të mbahet javën e ardhshme.

“Pas përfundimit të punës së grupeve parlamentare PDK-LDK, do të vendoset edhe për seancën. Prej punës së tyre varet thirrja e seancës. Ne jemi gati, edhe administrata edhe unë, i kemi bërë përgatitjet edhe ftesat janë gati por data duhet të caktohet, besoj që javën e ardhshme”, ka thënë Brovina.

Megjithëse anëtarët e grupeve të punës së këtyre dy forcave politike, janë marrë vesh me njeri-tjetrin që të mos flasin për mediat, këto të fundit kanë raportuar se ndarja e posteve do të bëhet në fillim të kësaj jave, në mënyrë që seanca të mbahet të enjten ose të premten.

Seanca e parë për konstituimin e Kuvendit është mbajtur më 17 korrik të këtij viti, e thirrur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku Isa Mustafa mori postin e kryeparlamentarit.

Por, pas ankesës së PDK-së në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit mori vendim që kreu i LDK-së u zgjodh në mënyrë antikushtetuese, pasi vetëm PDK-së i takonte propozimi për të zgjedhur kryeparlamentarin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb