Miliona njerëz në Florida po nxitojnë për të braktisur shtëpitë, teksa uragani “Milton” po avancon drejt bregut perëndimor të shtetit.

“Milton”, aktualisht një stuhi e kategorisë së pestë, pritet të godasë Gjirin e Tampës natën e së mërkurës, duke sjellë erëra agresive me shpejtësi deri në 270 km/orë.

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se evakuimi ishte një çështje “jetë a vdekje” dhe këtë herë kishte përmasat më të mëdha ndër vite.

Uragani “Milton” vjen 2 javë pasi ai “Helen” goditi Bregun e Gjirit si stuhi e kategorisë së katërt, duke vrarë të paktën 225 persona në Florida, Xhorxhia, dy Karolinat, Tenesi dhe Virxhinia.

Megjithatë, ai mund të dobësohet duke rënë në kategorinë e tretë në momentin e përplasjes – paralajmërojnë meteorologët.

Por, edhe nëse kjo ndodh, ai do të jetë sërish shumë i fuqishëm dhe mund të jetë më i keqi që do të godasë shtetin në rreth një shekull.

Gjithashtu, “Milton” mund të shkaktojë tornado të shumtë dhe stuhi të rrufeshme, si dhe të izolojë zonat e banuara dhe të shkatërrojë lidhjet energjetike, duke lënë zona të tëra në terr.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: