Festat e fundvitit kanë rritur ndjeshëm numrin e shtetasve shqiptarë që rikthehen në vendlindjen e tyre për të kaluar ditët festive.
Sipas informacioneve nga policia kufitare, mësohet se gjatë 24-orëve të fundit, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës janë regjistruar 6,303 hyrje dhe 2,444 dalje.
Për të përballuar këtë fluks në rritje të qytetarëve që hyjnë në vendin tonë, pala shqiptare ka rritur numrin e sporteleve, duke i alternuar më pas në varësi të situatës.
Ndërkohë, ajo që bëhet e ditur nga autoritetet doganore është se fluksi më i lartë pritet të regjistrohet në Vigjilje të Krishtlindjes e më pas në ditët e fundit të vitit.