Me 500 policë dhe 200 ushtarë, qeveria konservatore e djathtë e Austrisë demonstroi vullnetin e saj, për të kthyer refugjatët në kufi. Në mëngjes në Spielfeld pranë kufirit me Slloveninë nisi një stëvitje përkatëse. Ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kickl nga FPÖ-ja ultra e djathtë deklaroi para gazetarëve në Spielfeld: “Një shtet, i cili nuk është në gjendje që t’i mbrojë në mënyrë efektive kufijtë e tij në rast nevoje, ai e humbet besueshmërinë e tij.”

Zëvendëskancelari Heinz-Christian Strache, gjithashtu nga FPÖ-ja, i pati thënë më parë gazetës “Bild” se stërvitja është konceptuar si sinjal i qartë se nuk do të ketë një mungesë kontrolli dhe një miratim për të kaluar refugjatët si në kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Shkak për stërvitjen e gjerë në kufirin me Slloveninë është “debati për mbylljen e kufijve të brendshëm, i shkaktuar nga Gjermania”. Si shkak tjetër ai përmendi “zhvillime aktuale në itineraret e refugjatëve në hapësirën ballkanike”.

CSU-ja në Bavari ka kërkuar në mosmarrëveshjen midis partive unioniste që të arrihet një dakordim evropian deri më 1 korrik, për atë se si do të ndalohet shtegtimi i mëtejshëm i migrantëve brenda BE-së. Përndryshe, ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) planifikon që t’i dëbojë refugjatët e regjistruar në vende të tjera në kufijtë e Gjermanisë. Ai e ka lënë të hapur se si do ta zbatojë këtë, por Seehoferi e di që ka mbështetjen e qeverisë austriake.

Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar megjithatë për rrezikun e veprimeve unilaterale nacionale dhe po përpiqet për një zgjidhje evropiane./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb