NGA Fatmir Popja
-Masivet me shkurre të llojit Bush në të gjithë territorin e Shqipërisë po shkojnë drejt tharjes së plotë.
Ky fenomen po shkaktohet nga një lloj fluture e njohur si flutura kineze e cila e dëmton shkurren e llojit Bush duke konsumuar gjethet e tij duke mos i dhënë kohë të rigjenerohet.Kjo është cilësuar nga specialistët e pyjeve si një nga situatat më të trishta të natyrës dhe konkretisht të masiveve pyjore me shkurre të llojit Bush.
Aktualisht në të gjithë Shqipërinë është tharë nga vemjet gjatë tri viteve të fundit të paktën 80% e sipërfaqes totale me Bush, ndërsa në Rrethin e Librazhdit janë tharë 6.500 hektarë ose e gjithë sipërfaqja që mbulohej me Bush.
Inxhinieri i pyjeve, Bajram Kullolli, specialist në Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan e cilëson situatën mjaft kritike pasi larva, e cila gjendet në gjethet e Bushit mbetet tepër e rrezikshme.
Flutura Kineze është një insekt i shfaqur tre vitet e fundit në vendin tonë që shfarosi me ritme të shpejta masivet pyjore të Bushit edhe në zonën e Librazhdit.
Tharja totale e shkurres së Bushit jo vetëm që ka shkaktuar një dëm të madh në ekonominë pyjore të Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë, por ka shkatërruar edhe panoramën piktoreske me gjelbërim gjithëvjetor që kishim.
Deri në rigjenerimin e plotë të këtyre masiveve të thara do duhen 5-10 vite. Në Rrethin e Librazhdit nga Miraka deri në Qafë-Thanë janë tharë 6500 ha me Bush ose e thënë ndryshe e gjithë sipërfaqa më shkurret e këtij lloji.
Zhdukja e Fluturës kineze mund të bëhet vetëm nëpërmjet spërkatjes ajrore që është shumë e kushtueshme. Jemi në kontakt për ta sulmuar këtë dëmtues të pyjeve. Edhe luftimi biologjik me specie të tjera sikurse është grerëza aziatike e cila konsumon larvat e kësaj fluture është një lloj forme lufte ndaj këtij insekti shkatërrimtar të shkurres së Bushit.
Në Shqipëri, Bushi rritet pothuajse kudo nga lartësia 300 deri 1200 m duke formuar pyje të thjeshta, në Tropojë, Kukës, Librazhd, Mat, Elbasan, Qafë Shtamë, Llogara etj, ose duke u përzier në pyjet e pishës së zezë. Bushi është një shkurre që rritet në toka të thata e të varfra dhe jeton 200-300 vjet.
Bushi shumëzohet me copa e me farë dhe rritet si shkurre zbukuruese dhe gjithmonë në çdo stinë është shkurre e gjelbër.
Bushi është jo vetëm një shkurre zbukuruese por druri i tij përdoret edhe për punime gdhendjeje, për përgatitjen e veglave e orendive shtëpiake por edhe të lugëve të cilat përdoret gjerësisht nga amvisat në kuzhinën shqiptare.