Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se dalja potenciale e Britanisë nga Bashkimi Evropian përbën rrezik të madh për ekonominë e saj.

Shefja e FMN-së, Christine Lagarde, ka thënë se Britania do të përballet me pasiguri afatgjate ekonomike dhe luhatje në tregjet financiare nëse voton për braktisje të BE-së në referendumin e 23 qershorit.

Lagarde i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Londër.

“Shumica e analizave ekonomike që janë kryer, tregojnë se largimi nga BE-ja do të jetë i kushtueshëm në afat të gjatë. Edhe në afat të shkurtër ka rrezik nga reagimi i pafavorshëm i tregjeve”, ka thënë Lagarde.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se ekonomia britanike do të forcohet në gjysmën e dytë të këtij viti nëse ky vend mbetet brenda BE-së.

Paralajmërimi i fundit vjen në kohën kur kryeministri britanik, David Cameron, po bën fushatë të zjarrtë për të mbajtur Britaninë brenda bllokut 28-anëtarësh.

Të enjten, edhe Banka e Anglisë ka paralajmëruar se në rast të ikjes së Britanisë nga BE-ja, ekonomia do të ngadalësohet ndjeshëm dhe ndoshta do të hyjë në recesion të shkurtër.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: