NGA VJOLLCA KONGJONI*

Koncesionet në Shqipëri shihen si një nga rreziqet më të mëdha fiskale nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në raportin më të fundit mbi Vlerësimin e Transparencës Fiskale, FMN i ka tërhequr vëmendjen qeverisë lidhur me transparencën e projekteve të investimeve publike, duke përfshirë edhe partneritetet publik-privat. Raporti vjen në një kohë kur vala e koncesioneve ka përfshirë të gjithë sektorët, duke u shtrirë edhe ne menaxhimin e infrastrukturës edhe shërbimeve në shëndetësi, ku qeveria ende nuk i ka të qarta detyrimet që do të paguajë ndaj tyre.

Sipas FMN, fatura totale e koncesioneve tyre është sa 7% e PBB-së, ndërkohë që Qeveria nuk raporton për detyrimet e saj në partneritetet publike-private. Por Ligji kërkon që Ministria e Financave të mbajë një regjistër të partneritetit publik-privat dhe të bëjë vlerësimin e ndikimit të tyre buxhetor para se kontratat të jenë nënshkruar. Në 7%-shin e vlerës së koncesioneve përfshihet në pjesën më të madhe kompania e publike , KESH, e cila ka hyrë në kontrata me prodhuesit e hidrocentraleve (me pagesat me vlerë 4 për qind të GDP). Në raportin 4% të PBB faturohet edhe vlera e kompanisë së skanimit në  Dogana 2% dhe koncesioni për Rrugën e Kombit dhe Arbrit në po 2%. Ndërsa Koncesioni i Check-UP  në shëndetësi zë vlerën 1% të PBB.

Në raportin e saj FMN ka analizuar 36 kritere për të matur transparencën fiskale, nga të cilat në 8 Shqipëria ka ngelur. Kështu FMN sheh si shqetësuese rishikimin e shpeshtë të buxhetit brenda një viti duke sjellë uljen e besueshmërisë ndaj qeverisë.

“Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është ulur ndjeshëm gjatë vitit për shkak te mungesës se te ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij”. Edhe të dhënat e institutit të Statistikave vlerësohen nga fondi si jashtë standardeve të BE.

Fondi Monetar evidenton një sërë kërcënimesh për qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë, ku më kryesori është ai që lidhet me faturën e kompensimit të pronave, pasi pretendimet për kompensimin e ish-pronarëve janë sa 70% e Prodhimit Brendshëm Kombëtar. Rreziqe të tjera janë niveli i lartë i kredive me probleme. Për të përmirësuar transparencën fiskale FMN ka dhënë 7 rekomandime për qeverinë, ndër të cilat më kryesoret janë; krijimi I një këshilli të pavarur fiskal që të vlerësojë rezultatet e qeverisë, një transparencë më të plotë të investimeve publike si dhe mbikëqyrje të plotë të të gjitha hapësirave të kompanive publike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb