TIRANË – Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, ka deklaruar sot se “Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit,” ndërsa Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar se “ekonomia po ecën në rrugën e duhur dhe nuk ka arsye për rishikim të programit ekonomik apo rritje të taksave.”

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zotit Nadeem Ilahi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 4-17 mars 2015, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e katërt të Shqipërisë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar (EFF). Në fund të vizitës, z.Ilahi deklaroi:

“Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit. Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e katërt të EFF-së.
Shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e moderuar në vitin 2015, duke arritur rreth 3 për qind, pavarësisht përmbytjeve të kohëve të fundit dhe ngadalësimit në sektorin e naftës. Rritja ekonomike do të nxitet nga rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, duke përfituar nga çmimet e ulëta në fushën e energjisë dhe norma të ulëta interesi, si edhe nga një rritje graduale e huadhënies bankare. Por prodhimi vazhdon të jetë nën potencial, dhe së bashku me presione të dobëta nga mjedisi i jashtëm do të kontribojë që inflacioni të mbetët i ulët.

Ecuria fiskale gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014 ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e programit. Autoritetet vijojnë të mbeten të angazhuara për arritjen e objektivit të deficitit fiskal për vitin 2015, si edhe për t’i kufizuar shpenzimet brenda paketës së programuar.
Politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike, në përputhje me mandatin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Rritja e kreditimit po rigjallërohet por vazhdon të mbetet e ulët, e prekur nga niveli i lartë i kredive problematike dhe dobësitë në fushën e ekzekutimit të kontratave. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve për të hartuar një strategji gjithëpërfshirëse që adreson çështjen e kredive me probleme me synim për të përmirësisuar mjedisin e kreditimit.

Zbatimi i reformës në sektorin energjetik po ecën sipas planit. Reforma është hartuar në konsultim me Bankën Botërore dhe është e nevojshme për zvogëlimin e risqeve fiskale. Vjedhja e energjisë elektrike, edhe pse në nivele të larta, po zvogëlohet; tarifat janë përshtatur, të ardhurat po rriten; dhe ndërmarrjet shtetërore në sektorin energjetik po reformohen.

Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e katërt në mes të vitit 2015, – tha në përfundim Ilahi. – Aprovimi i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e 28,9 milion SDR, rreth 37.4 milionë euro. Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014.”

CANI: S’KEMI ARSYE TE RRISIM TAKSAT, EKONOMIA NE RRUGEN E DUHUR

Ministri i Financave Shkëlqim Cani tha gjatë fjalë së tij se “ekonomia dhë financat janë në rrugën e duhur dhe nuk shohim ndonjë shkak për rritjen e taksave. Për 2015-ën, financat publike do të jenë sipas parashikimeve. Shumë shpejt nisim fushatën e luftës kundër informalitietetit dhe evazionit. Në një të ardhme do të prekim problemin e kredive me probleme, që janë pengesë për sistemin bankar që të nxisë kreditimin.

Çështja e borxhit dhe eurobondi mund të jetë rutinë, por nuk është në rutiniën e përditshme. Në Shqipëri është hera e dytë që ripërtërijmë eurobondin e i përmbahemi strategjisë që nuk do shtojmë borxhiun.

Presim të marrim kredi ndërkombëtare nga Banka Botërore, të marrim një hua me interesa më të ulëta. Nuk bëjmë fjalë për rritje borxhi…Niveli i borxhit ruhet, vetëm ndryshon vendi ku do merret borxhi, kjo për të çliruar fondet në vend për të rritur likuiditetin, që sistemi bankar të çojë paratë në kredi ndaj biznesit.

AHMETAJ: MOMENTI TË THELLOJMË REFORMAT

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se “së bashku me FMN-në jemi fokusuar tek reformat. Po mendojmë guximshëm dhe në thellësi per reformat strukturore, që kanë filluar të japin efektet e tyre pozitive në ekonomi. Është momenti të vijojmë me thellimin e tyre. Rritja ekonomike është 3% në vitin 2015 dhe kjo si pasojë e thellimit të reformave strukturore. Kemi ndërmarrë iniciativa për mbështetjen e investitorëve dhe synojmë të sjellim sa më shumë investitorë të huaj.”

SEJKO:BANKA E SHQIPERISE GJYKON SE REFORMAT E NISURA DUHET TE VAZHDOJNE

Guvernatori Sejko vërejti se “sikurse jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka qenë në Tiranë për të kryer, së bashku me autoritetet shqiptare, rishikimin e radhës të marrëveshjes. Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike e financiare kanë qenë relativisht pozitive. Pavarësisht problemeve me të cilat jemi përballur, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje dhe një sërë ekuilibrash ekonomikë e financiarë të vendit janë përmirësuar. Një rol të madh në këtë drejtim kanë luajtur politikat ekonomike, reformat ligjore, rregullative dhe institucionale, të ndërmarra nga autoritetet shqiptare. Këto politika zhvillimi janë ankoruar në marrëveshjen që kemi me FMN-në dhe kanë përfituar nga kredibiliteti dhe mbështetja financiare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Banka e Shqipërisë gjykon se reformat e nisura duhet të vazhdojnë dhe në të ardhmen, për t’i siguruar vendit një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.”

(ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb