TIRANE – Fondi Monetar Ndërkombëtar konsideron se programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit, ndërsa shkalla e rritjet ekonomike pritet të jetë 2%.

Përmes një konference për shtyp në krah të ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe atij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, paraqiti zyrtarisht qëndrimin mbi paketën fiskale, pr/buxhetin 2015, si dhe realizimin e kritereve të performancës, që do mundësojnë lëvrimin e këstit të prapambetur të kredisë së FMN-së dhe këstit të radhës.

Shefi i FMN-së theksoi se parametrat fiskalë janë realizuar sipas objektivit ndërsa politika monetare e Bankës së Shqipërisë është e mirë.

Sipas FMN-së, hapat e para mbi sektorin e energjisë janë të rëndësishme. “Plani për energjinë nga qeveria dhe Banka Botërore. Të gjitha masat janë në përputhje dhe me aspektin fiskal.”- deklaroi Ilahi.

Prej rreth 10 ditësh Misioni i FMN-së i kryesuar nga Nadeem Ilahi diskutoi me autoritetet shqiptare mbi performancën e financave shqiptare dhe reformat e nevojshme.

Misioni i FMN-së u largua në shtator, pa arritur në një marrëveshje me qeverinë shqiptare, çka shtyu disbursimin e transhit të tretë të huasë prej rreth 26 milion euro. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi në fund të muajit shkurt të këtij viti marrëveshjen 36-mujore prej rreth 330.9 milion euro me Shqipërinë për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Në muajin tetor dy ministrat Cani dhe Ahmetaj qëndruan për rreth 2 javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku diskutuan me FMN-në lidhur me ecurinë e financave shqiptare.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb