Deputeti i PD, Ervin Salianji ka publikuar përgjimet telefonike të Prokurorisë mes Albert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit dhe Fredi Alizotit. Salianji thotë se Alizoti është paguar nga ish-drejtuesit e policisë, ndërsa në bisedën e përgjuar duket se Nushi dhe Alizoti flasin për pagesa. Deputeti demokrat pretendon se pas marrjes së parave, Fredi Alizoti ka ndryshuar dëshminë lidhur me çështjen “Babalja”, ku ai fillimisht denoncoi Agron Xhafajn për trafik droge, ndërsa më pas tha se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm. Po gjatë komunikimeve, Nushi dhe Alizoti flasin edhe për “shefin e madh” por që nuk kuptohet për kë është fjala.
“Janë qindra komunikime mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Ndodhen në dosjen zyrtare të Prokurorisë. Ka dhjetëra komunikime të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ish-drejtuesve të policisë, ish-prokurorit të çështjes Gentjan Osmani ku në të gjitha rastet vendosen në dispozicion dhe shërbenin për t’u marrë para, për të paguar lekë, për të vendosur kohën se kur do të bëhej arrestimi fals ku dëshmitari i rremë Alfred Alizoti të bënte burg në këmbim të parave që paguhen nga drejtuesit më të lartë të policisë. Drejtori i Policisë së Fierit i thotë se shefi është jashtë përkon me datën 7-8 qershor kur Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm ishte në një aktivitet zyrtar në Kroaci”, u shpreh Salianji.
Pjesë nga përgjimet
Albert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit, i telefonon Fredi Alizotit, 8 qershor 2018
Albert Nushi: Je i madh. I more ato?
Fredi Alizoti: I madh jam unë e nuk kthehem mbrapa, ato që janë do vazhdojnë.
Albert Nushi: Po, po, i more ato?
Fredi Alizoti: Do sjellësh njeri të më takojë mua se jam këtu lart ku më latë atë natë. Se nuk dua të marr në telefon se jam i prerë.
Albert Nushi: Po ku je o?
Fredi Alizoti: Po ku më latë atë natë ore po të them.
Albert Nushi: Po unë jam në Fier ore.
Fredi Alizoti: Fol me shefin e madh. E kupton vetë ti, se s’dua ta them.
Albert Nushi: Kë do?
Fredi Alizoti: Shefin e madh.
Albert Nushi: Dëgjo tani, me kujdes. Nesër në orën 9 më bëj telefon.
Fredi Alizoti: Më erdhën 2 telefonata mua nga krahu tjetër.
Fredi Alizoti: Një sekondë, do t’i thuash shefit të më takojë mua sot se s’bën…
Albert Nushi: Shefi është jashtë, i ka deleguar kompetencat një tjetri.
Fredi Alizoti: Në ç’vend është?
Albert Nushi: Shefi është jashtë. Ka shumë mundësi që nesër pasdite të jetë këtu.
Fredi Alizoti: Nesër dmth do të marr unë ato (qesh)?
Albert Nushi: Dëgjo ore, dëgjo, nesër…
Fredi Alizoti: Kur të më hedhin ato them. Ej, unë nuk bëj prapa, se e kam parasysh.
Albert Nushi: Dëgjo këtu, Fredi, këto që po të them se është këtu apo nuk është këtu ti verifikoje.
Fredi Alizoti: Jo, jo.
Albert Nushi: Dëgjo ore këtu. Ça do ti?
Fredi Alizoti: Dua të flas me njëri tjetër. Ça ke ti?
Albert Nushi: Po merr prokurorin o vlla ça ke?
Fredi Alizoti: Po mirë, ma jep numrin?
Albert Nushi: Mirë ja, po ta çoj me mesazh o Fredi.
29 gusht 2018, ora 12:00
Zv/drejtori i Policisë së Fierit, Andon Marko telefon Fredi Alizotin
Andon Marko: Erdha unë. Ku do të takohemi?
Fredi Alizoti: Te Pazari i ri jam, afër 9-katësheve.
Andon Marko: E mora vesh, erdha.
1 tetor 2018, ora 12:35
Andon Marko: Hë re?
Fredi Alizoti: Ça po bën?
Andon Marko: Hiç ja, kam ca njerëz.
Fredi Alizoti: Të mora, se ke njerëz aty, po të prish qetësinë. Ej, ça do bëjmë? Po pres atë mikun se kishte një porosi ai miku nga Tirana, kupton? E mora dy herë unë, kupton ti?
Andon Marko: Nuk e di çfarë të them se kam qenë i shkëputur këto ditë dhe s’di ç’të them.
Fredi Alizoti: E mirë, hajt.
1 tetor 2018, ora 16:11
Andon Marko: Hë vëlla?
Fredi Alizoti: Ça po bën ti? Fisnik ai vëlla, a mbajti llafin.
Andon Marko: Mirë, hajt.
5 tetor 2018, ora 13:11
Andon Marko: Hë vlla ça po bën?
Fredi Alizoti: Ça do bëj? Ça po bën?
Andon Marko: Jam me ca miq, po hamë drekë.
Fredi Alizoti: Po mirë, pse s’ma bëre një zile mua?
Andon Marko: Kush?
Fredi Alizoti: Po ti të ma bëje një zile mua. Të dy në vaki jemi. Të më thoje jam këtu.
Andon Marko: Më morën për drekë. Flasim ndoshta filloj rregullisht nga e hëna e tutje.
Fredi Alizoti: Ty drekat nuk të ndahen.
Andon Marko: Flasim ndoshta filloj rregullisht nga e hëna e tutje.
Fredi Alizoti: Hajt se flasim se me ditë jemi.
Andon Marko: Mirë pa merak. Do të flasim nga e hëna e tutje. Hajt se do vij në punë unë.
5 tetor 2018 ora 19:55
Andon Marko: Hë re?
Fredi Alizoti: Ça po bën?
Andon Marko: Hiç, ja me ngushëllimet.
Fredi Alizoti: Në Tiranë jam.
Andon Marko: E mirë.
Fredi Alizoti: Ika në Tiranë unë do marr rroba dhe do rri këtej se kështu më thanë. E ke parasysh.
Andon Marko: Po ashtu do vij të të takoj.
Fredi Alizoti: Po si do vish të më takosh.
Andon Marko: Pa merak ore ça ke ti. Mos e vrit mendjen. Do takoheshim të hënën.
Fredi Alizoti: Jo, më thanë do marr rrobat dhe do rri tek një shoku im. Kështu do e bëjmë.
Andon Marko: Do të marr unë në telefon.
Deputeti demokrat ka paralajmëruar kallëzim në SPAK për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai tha se po bëhen përpjekje për t’i mbyllur gojën, por shtoi se do t’i rezistojë çfarëdolloj presioni.
“Do të depozitojmë gjithçka që kemi dijeni. Lidhur me kallëzimin tjetër që do të dërgojmë në SPAK për shkak se Fatmir Xhafajt i është dhënë fuqi dhe mbrojtje politike, ligji nuk funksionin si për të gjithë, duke iu shmangur hetimit pasuror për shkak se është subjekt i ligjit antimafia, do të depozitojmë edhe këtë kallëzim. Do të merremi më çdo person që është i përfshirë në këtë aferë jo vetëm korruptive, por që minon shtetin e së drejtës, shtetin ligjor dhe e kthen prokurorinë dhe gjykatat si një rast për përdorim politik, për të goditur kundërshtarin politik dhe shantazhuar. Në rastin tim as ma mbyllin dot gojën, as më vendosin dot në pozita të vështira. Do të nxjerrim në çdo rast përgjimet e tjera, do të bëjmë skanim të të gjithë personave të përfshirë”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.
(BalkanWeb)