BELSH– Familjet e varfra të bashkisë se Belshit në rrethin e Elbasanit falë një projekti bashkëpunimi mes njësisë së qeverisë vendore dhe Fondacionit Kulturor Arsimor e Humanitar “ALSAR” janë përfshirë në një skemë përfituese paketash ndihmash ushqimore të llojeve të ndryshme.

Finalizimi me sukses i këtij projekti është mirëpritur së tepërmi nga familjet në nevojë të kësaj bashkie në Qarkun e Elbasanit pasi gjatë kësaj fundjave Fondacioni “ALSAR” ka shpërndarë paketa ushqimore për disa qindra familje të Belshit dhe ka premtuar se edhe në të ardhmen “ALSAR” do vazhdojë të shpërndajë paketa ushqimore për to.

Në ceremoninë e organizuar për ndarjen e këtyre ndihmave ishte i pranishëm edhe presidenti i këtij Fondacioni Mehdi Gurra si dhe kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani i cili vlerësoi së tepërmi këtë mbështetje që po u jepet familjeve në nevojë të kësaj bashkie.

Ndërkaq sipas kryebashkiakut Arif Tafani me mjaft rëndësi për përmirësimin e jetës sociale të këtij komuniteti është edhe mbështetja financiare që ka garantuar Fondacioni Kulturor Arsimor e Humanitar “ALSAR” për rindërtimin e të paktën 20-30 banesave të familjeve të ndryshme në fshatrat e kësaj bashkie si dhe ndërtimin e të paktën dy objekteve shkollore.

ALSAR ka garantuar mbështetjen me bursa studimi në universitetet prestigjioze evropiane të nxënësve të shkëlqyer nga kjo bashki. Nga ana e “ALSAR” kësaj rradhe në bashkinë e Belshit përfituan nga një pako ndihmë ushqimore të paktën 650 familje në nevojë. Mes kësaj njësie të qeverisjes vendore dhe ALSAR do të ketë një bashkëpunim afat gjatë në disa fusha.

Krahas shpërndarjes sistematike të paketave ushqimore për familjet pa të ardhura, për familjet që kanë persona me Aftësi të Kufizuar, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe familjet e jetimëve synohet që ky bashkëpunim të përfshijë edhe aspekte të tjera të jetës së komuniteteve në nevojë. Këtë projekt të ALSAR përfaqësuesi i Fondacionit Kulturor Arsimor Humanitar Mehdi Gurra e ka cilësuar si një nga më ambiciozët i cili synon ta zbusë disi varfërinë me të cilën përballen mijëra familje në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb