TIRANE- U zhvillua sot, takimi i Komitetit Monitorues për instrumentin e para-aderimit (IPA). Ky Komitet u bashkëkryesua nga Ministrja e Integrimit Europian, Znj. Klajda Gjosha, në cilësinë e koordinatorit kombëtar të IPA-s dhe përfaqësuesi i Komisionit Europian z. Jean-Eric Paquet, Drejtor për Shqipërinë, B&H, Serbinë dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit.

Ministrja Gjosha, theksoi në fjalën e saj theksoi se të gjitha rekomandimet e Komitetit të Monitorimit të IPA-s të mbajtur në 2014 janë zbatuar.

“Konkretisht, janë marrë masa për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve problematike të projekteve në zbatim dhe po sigurohet një monitorim nga afër për çështjet që kanë potencial të kthehen në problematike me qëllim adresimin e shpejtë të tyre, për një performancë sa të mirë të projekteve IPA. Si rezultat i këtyre masave, numri i projekteve problematike në vite është ulur progresivisht”, tha Ministrja Gjosha.

Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua çështjeve të projekteve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve, si një nga sektorët më jetikë. Znj. Gjosha, informoi Komisionin Europian për reformat që po ndërmerr qeveria në këtë sektor me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, masat për ristrukturimin e ndërmarrjeve të UK bazuar edhe në ndarjen e re territoriale.

Duke qenë se prej Marsit 2014 vendi ynë ka marrë akreditimin për menaxhimin e decentralizuar të fondeve të BE, Ministrja e Integrimit Europian në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të IPA-s, informoi Komisionin Europian, për ecurinë e zbatimit të 6 projekteve të para nga paketa e IPA 2013. Për këto projekte janë shpallur procedurat e prokurimit dhe së shpejti do të procedohet me lidhjen e kontratave dhe fillimin e zbatimit të projekteve.

Ministrja Gjosha, informoi KE edhe për përgatitjet lidhur me implementimin e programit të ri IPA për Shqipërinë për periudhën 2014-2010 (IPA II). Në këtë kuadër kanë filluar përgatitjet për programimin e fondeve për vitin 2016, ku asistenca e BE do të jetë në formën e mbështetjes buxhetore direkte.

Me qëllim përfitimin nga ky instrument i ri, kërkohet përgatitja e strategjive sektoriale në fushat që do të mbulohen nga ndihma, që përbëjnë sektorët kyçë të ekonomisë dhe zhvillimit social, si sektori i ujësjellës-kanalizimeve, shteti ligjor dhe të drejtat themelore, Bujqësia me fokus sigurinë ushqimore dhe transporti.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: